Futboll

Lautaro Martinez përmbys Fiorentinën, i dhuron Interit Kupën e Italisë

Gazeta Si – Niko Gonzalez tremb Interin me një gol të shpejtë, pastaj shpërthen Lautaro Martinez me një dopietë. Interi fiton Kupën e Italisë për herë të 9-të.

Skuadra e Simone Inzagit ka mundur 2-1 Fiorentinën në finalen e luajtur në ‘Olimpico’ dhe për herë të dytë radhazi ka fituar Kupën e Italisë. Një sukses me përmbysje për zikaltrit, që e panë veten në disavantazh që në minutën e 3-të.

Pas një çerek ore në vështirësi, Interi, i udhëhequr nga Lautaro Martinez, arriti ta kthente rrjedhën e lojës para se të shkonte në pushimin e ndeshjes. Sulmuesi argjentinas barazoi me një diagonale dhe 8 minuta më pas realizoi me akrobaci golin e fitores për Interin.

Gjatë pjesës së dytë u krijuan shumë raste për shënim nga të dyja skuadrat, por rezultati nuk ndryshoi. Fiorentina iu afrua golit të barazimit në fund me Joviç, i cili ndal nga Handanoviç. Festë për trofeun tek Interi dhe dëshpërim në radhët e Fiorentinës për këtë shans të humbur.

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, nuk u aktivizua asnjë minutë nga trajneri Inzagi në këtë ndeshje.

Fiorentina-Inter 1-2
Fiorentina: Terraçiano, Dodò (Terziç), Martinez Kuarta (Ranieri), Milenkoviç, Biraghi, Amrabat (Joviç), Bonaventura, Ikoné (Sotil), Kastrovili (Mandragora), Gonzalez, Kabral. Trajner: Italiano.
Interi: Handanoviç, Darmian, Açerbi, Bastoni (De Vrij), Dumfris, Barela, Brozoviç, Çalhanoglu (Galiardini), Dimarko (Gosens), Martinez (Korrea), Xheko (Lukaku). Trajner: Inzagi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë