Futboll

Flamurtari dhe Korabi kalojnë raundin e parë në Play-off, Lushnja qëndron në të Parën

Gazeta Si – Flamurtari dhe Korabi kanë bërë një hap përpara drejt Superiores, duke fituar ndeshjet e para të Play-off-it. Këto dy skuadra kanë eliminuar përkatësisht Apoloninë dhe Tomorin dhe kanë dale në finale. Fituesja më pas ka edhe ‘finalen e madhe’ me vendin e 8-të të Superiores.

Një kualifikim disi non sens ai i Flamurtarit, që eliminoi Apoloninë me një barazim 1-1 në Vlorë. Sipas skemës së kampionatit të Kategorisë së Parë, Flamurtari kishte avantazhin e fushës, por favor më i madh për të paska qenë edhe barazimi. Duke qenë se kampionatin e rregullt vlonjatët e mbyllën më mirë se fierakët, në vend të 3-të, kanë kaluar më tej.

Nga ndeshja Flamurtari-Apolonia, 1-1. Gazeta Si, 23 maj 2023

Apolonisë, nga sa është mësuar sot, i duhej patjetër të fitonte në Vlorë për të vazhduar rrugëtimin. Dhe i kishte mundësitë, sepse në minutën e fundit humbi një penallti. Penallti humbi edhe Flamurtari më parë. Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Pedro Augusto për vlonjatët dhe Antoni për fierakët, të dy lojtarë të huaj.

Korabi ndërkohë ka arritur një kualifikim më emocionues, duke mundur Tomorin në Berat, me rezultatin 0-1. Albesn Keko realizoi golin e kualifikimit për dibranët, të cilët pas disa ditësh do të përballen me Flamurtarin.

Lushnja, një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptar, aktualisht në nivelin inferior, sot siguroi qëndrimin në Kategorinë e Parë, pasi mundi 1-0 në ndeshje shtesë Valbonën, që vinte nga Kategoria e Dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë