Gazeta Si – Trupa Federale e Apelit do të vendosë sot për fatin e Juventusit. Prokuroria ka kërkuar 11 pikë penalizim për skuadrën e Alegrit.
Është dita e Juventusit, në çdo sens. Jo vetëm në fushë, ku bardhezinjtë janë të impenjuar ndaj Empolit, mbi të gjitha në gjykatën e Trupës Federale të Apelit, që do të ridizenjojë për të disatën herë renditjen, me shpresën për të mbyllur përfundimisht çështjen e plusvalencave.

Gjyqtarët duhet të vendosin sa pikë i duhen hequr Juventusit nga renditja, pas kërkesës për rimodulimin e dënimit të Kolegjit të Garancisë së CONI-t. Prokuroria Federale, e udhëhequr nga Chiné, ka kërkuar një penalizim me minus 11 pikë në klasifikim, si dhe pezullim për 8 muaj të drejtuesve të përfshirë.
Ndëshkimi i ri do të ketë pasoja te Juventusi, pasi mund ta nxjerrë jashtë 4 vendeve të para dhe jashtë Championsit. Bardhezinjtë do të përfundonin pas Milanit, aktualisht në vend të 5-të. Që kjo të ndodhë, do të mjaftonte një dënim me 9 pikë minus, por ndoshta mund të mos mjaftonte për të lejuar skuadrën e Alegrit ta kalonte sërish Milanin në javët e mbetura. Për më tepër këto dy skuadra do ndeshen mes tyre në ‘Stadium’ të dielën e ardhshme.
Sentenca pritet gjatë mbrëmjes, gjatë ose pas ndeshjes me Empolin. Ndoshta çështja e plusvalencave mund të mos mbyllet përfundimisht, do të vlerësohet me kujdes edhe nga UEFA, që mund ta përjashtojë Juventusin jo vetëm nga Championsi i sezonit të ardhshëm, por edhe nga ndonjë kompeticion tjetër europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




