Gazeta Si – Roma-Sevilja është finalja e Ligës së Europës, që zhvillohet më 31 maj në Budapest. Roma barazoi 0-0 në Gjermani, kurse Sevilja, eksperte e këtij kompeticioni, eliminoi 2-1 Juventusin pas kohës shtesë, pasi 90 minutat përfunduan 1-1. Alegri dështon kështu edhe në tentativën për të fituar një trofe në Europë.
Juventusi kaloi i pari në avantazh në pjesën e dytë, me anë të Dushan Vlahoviç. Sulmuesi serb gjeti golin vetëm 2 minuta pasi hyri në fushë. Sevilja reagoi menjëherë dhe arriti të barazonte me Suson. Spektakolar goli i ish-lojtarit të Milanit, me një të majtë të fuqishme nga jashtë zonës.
Koha e rregullut përfundoi 1-1, po aq sa ndeshja e parë në Torino, kështu që u deshën shtesat. Lamela, një tjetër lojtar zëvendësues te Sevilja, realizoi golin e dytë 5 minuta pas fillimit të shtesës së parë, duke elektrizuar stadiumin ‘Sançez Pizjuan’.
Spanjollët luajtën me 10 vetë 5 minutat e fundit, pasi Akunja u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, ia dolën ta mbronin fitoren 2-1 deri në fund, duke siguruar biletën e finales, ndërsa Juventusi dështon në Europë këtë sezon.
Roma ka siguruar finalen e dytë radhazi në kompeticionet europiane. Pas asaj të Tiranës një vit më parë për Ligën e Konferencës, këtë herë skuadra e Mourinjos shkon në finalen e Ligës së Europës. ‘Muri’ i ngritur nga trajneri portugez rezistoi në fushën e Bajer Leverkusen, ku gjithçka u mbyll 0-0 dhe falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë, Roma kualifikohet për në finale.

Gjermanët patën iniciativën gjatë gjithë kohës, por pa mundur të gjenin golin që do ta çonte kualifikimin në shtesë. Roma tani synon trofeun në sfidën e 31 majit në Budapest.
Uest Hem-Fiorentina finalja e Ligës së Konferencës
Në finale të Ligvs së Konferencës kanë shkuar Uest Hemi, që eliminoi holandezët e AZ Alkmarit, duke i fituar të dyja ndeshjet, dhe Fiorentina. Italianët eliminuan Bazelin e Taulant Xhakës, duke e mundur 1-3 në fushën e tij. U deshën shtesat, pasi koha e regullt përfundoi 1-2, ashtu si në Firence. Barak realizoi golin e kualifikimit për Fiorentinën.
Italia përfaqësohet me një skuadër në të tria finalet europiane: me Interin në Ligën e Kampionëve, Romën në Ligën e Europës dhe me Fiorentinën në Ligën e Konferencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




