Menaxhim

BE miraton për herë të parë rregulloren e kriptomonedhave. Nga licencat tek gjurmimi i parave

Shtetet e Bashkimit Europian i thanë “po” miratimit të rregullave të reja për kriptomonedhat, duke ushtruar presion mbi SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, që të ndjekin të njëjtën rrugë.

Një takim mes ministrave të Financës në Bruksel miratoi rregulloren që doli nga parlamenti Europian në prill.

Rregullat pritet të hyjnë në fuqi në 2024-n.

Rregullimi qeveritar i kriptomonedhave u bë më urgjent pas falimentimit të platformës gjigande FTX.

“Ngjarje të fundit kanë treguar nevojën urgjente për të rregulluar këtë industri dhe për të mbrojtur europianët, si edhe parandalimin e keqpërdorimit të kriptove për qëllime të larjes së parave dhe financimit të terrorizmit”, thotë Elisabeth Svantesson, ministre e Financës për Suedinë, që mban dhe presidencën e BE-së.

Rregullat kërkojnë që firmat që duan të lëshojnë, tregtojnë dhe menaxhojnë asetet e kriptove në 27 vendet e bllokut, të marrin një licencë.

Ministrat morën masa me qëllim luftimin e evazionit fiskale dhe pastrimin e parave, duke i bërë trasaksioent të gjurmueshme.

Ata ranë dakord që nga janari 2026 ofruesit e shërbimeve të marrin emrin e dërguesve dhe përfituesve në kripto, pavarësisht shumës që transferohet.

Pati gjithashtu marrëveshje për ndryshimin e rregullave se si vendet anëtare bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në tatimin për të mbuluar transaksionet në kripto dhe për shkëmbimin e informacionit mbi vendimet e taksave paraprake për individët më të pasur.

Firmat kripto thonë se duan siguri në rregullim, duke ushtruar presion mbi vendet që të kopjojnë rregullat e BE-së dhe mbi rregullatorët që të dalin me norma globale për një aktivitet ndërkufitar.

Britania ka përshkruar një qasje me faza, duke filluar me monedhat e qëndrueshme (stablecoins) dhe duke u zgjeruar më vonë në kriptomonedha, por nuk ka një afat të caktuar.

Shtetet e Bashkuara janë përqendruar në përdorimin e rregullave ekzistuese të letrave me vlerë për veprimet në sektor, ndërkohë që vendosin nëse do të prezantojnë rregulla të reja me porosi dhe kush do t’i zbatojë ato.

Hester Peirce, një nga komisionerët në rregullatorin amerikan të derivateve CFTC, tha javën e kaluar se një numër i autoriteteve federale dhe shtetërore po përpiqen të kuptojnë se çfarë roli mbikëqyrës mund të luajnë në sektorin e kriptove.

“Ne po endemi në shkretëtirë,” tha Peirce në një konferencë.

Burimi:Reuters/Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë