Gazeta Si – Tribuna VIP e stadiumit ‘Air Albania’ ishte mbushur plot për derbin mes Tiranës dhe Partizanit. I pranishëm ishte edhe ish-trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ndoshta si i ftuar special nga FSHF.

Nuk mund të mungonte trajneri i Kombëtares, Silvinjo. Bashkë me dy ndihmësit e tij, Zabaleta dhe Doriva, si dhe me Ervin Bulkun, trajnerin e Kombëtares U-19, ata kanë mbajtur shënime për ndonjë lojtar që po ndjekin te Tirana apo Partizani. Trajneri brazilian ka bërë edhe një postim në rrjetet sociale, ku e quan vëzhgimin në derbi si pjesë të punës së përditshme.
‘Së bashku me Dorivën e Zabaletën ndoqa sot derbin e kampionatit shqiptar mes Tiranës e Partizanit, që u mbyll në barazim 1-1. Rivalitet shumë i lartë në një ndeshje të luftuar mes dy skuadrave që ndodhen në dy vendet e para të renditjes. Një moment i rëndësishëm vëzhgimi në punën tonë të përditshme. Forca Shqipëria!” – shkruan trajneri i Kombëtares në profilin e tij në Instagram.
Silvinjo është parë gati rregullisht të ndjekë ndeshje të kampionatit shqiptar, pasi beson se Superiorja ka lojtarë që mund t’i shërbejnë Kombëtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




