Gazeta Si – Para se ta marrë fjalën derbi i kryeqytetit, Tirana-Partizani, Superiorja ka luajtur katër ndeshjet e tjera të javës së 33-të, ku nuk kanë munguar rezultatet surprizë.
Vllaznia, më në fund është zgjuar dhe ka fituar pas shumë javësh. Shkodranët mundën 1-0 Teutën në “Loro Boriçi”, duke iu afruar me 3 pikë Egantias së vendit të 3-të. Ishte një ndeshje pa ritëm dhe me polemika në fund për një pretendim të durrsakëve për penallti. Mehdi Çoba shënoi golin e vetëm të ndeshjes, duke larguar rrezikun për trajnerin Sedloski.

Kukësi mundi 3-0 Laçin dhe ka dalë tashmë nga zona e rënies nga Superiorja. Edhe në këtë ndeshje pati polemika për një gol të anuluar të Laçit për pozicion jashtë loje. Me këtë fitore Kukësi shton ndjeshëm shanset për qëndrimin në elitë.
Egnatia është mundur befasisht nga Kastrioti i vendit të fundit. Greca është autori i golit 3-pikësh për krutanët, ndërkohë që rrogozhinasit luajtën me 10 vetë që në pjesën e parë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Malotës.
Një tjetër surprizë ka bërë sot Bylisi, që ka mundur 1-2 Erzenin, duke e çuar këtë të fundit në vendin e 8-të të renditjes. Shijakasit janë më të rrezikuarit për të shkuar në ‘play-off’, ku diskutohet qëndrimi në elitë me vendin e 3-të të Kategorisë së Parë, konkretisht me Flamurtarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




