Bota

Video / Nëntë viktima nga moti i keq në Itali, përmbytje dhe dhjetëra lumenj dalin nga shtrati

Gazeta Si – Të paktën 9 të vdekur është bilanci nga vala e motit të keq që goditi Emilia Romanjën me përmbytjen e 14 lumenjve dhe rrëshqitje dheu në Itali. Numri i të evakuuarve nga zonat e përmbyrura ka shkuar në 4 mijë.

Dy prej viktimave u gjetën në zonën e plazhit në Çezena, ndërsa 2 të tjerë në Ravena. Në dy raste, trupat u gjetën në katet e para të banesave të përmbytura, ndërsa rastet e tjera në automjetet e gjendura papritur mes valës së ujërave që vërshuan.

14 lumenj të mëdhenj dolën nga shtrati në rajonin e Emilia Romanjës. Banorët thanë se ujërat vërshuan aq shpejtë sa për pak minuta mbushën katet e para. Vërshimet mbërritën deri në qendër të Bolonjës.

Jo vetëm në Emilia Romanja, por deri në Marke në veri të Italisë, përmbytjet detyruan autoritetet të evakuojnë të paktën 5 mijë banorë.

Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu solidaritet me popullsinë e prekur dhe tha se qeveria ishte e gatshme të ofronte ndihmën e nevojshme.

Kjo është hera e dytë këtë muaj që Emiglia Romagna goditet nga moti i keq, me të paktën 2 persona që humbën jetën gjatë stuhive në fillim të majit.

Reshjet e dendura të shiut pasojnë disa muaj thatësirë , e cila sipas meteorologëve reduktoi kapacitetin e tokës për të përthithur ujin, duke përkeqësuar impaktin e përmbytjeve.

Dëmet e raportuara tashmë nga fermat dhe infrastrukturat në Emilia-Romagna vlerësohen në rreth 300 milionë euro.

Mijëra hektarë tokë të përdorur për kultivimin e kumbullave, dardhave, mollëve, kivit, drithërave, fidanishteve, perimeve janë nën ujë. Meterologët kanë deklaruar se moti i keq në Itali do të vijojë edhe 10 ditë të tjera dhe me temperatura tipike pranverore, e kundërta e vitit të kaluar që solli një maj të thatë dhe të nxehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë