Futboll

Brajtoni i surprizave kërkon Armando Brojën në huazim për sezonin e ri

Gazeta Si – Edhe pse është ende në fazë rikuperimi për shkak të dëmtimit në gju, Armando Broja sërish intrigon merkaton. Sulmuesi i Çelsit dhe Kombëtares shqiptare është në listën e dëshirave të disa skuadrave, por gjasat më të mëdha janë që ai të mbetet në Premier Ligë.

Së pari Broja do të kërkojë të bindë trajnerin e ri të Çelsit, që me shumë mundësi do të jetë Mauricio Poketino. Në të kundërt, nëse hapësirat për lojtarin shqiptar do të kufizohen, ai mund të huazohet te një skuadër tjetër angleze. Brajtoni është i fundit që kërkon shërbimet e futbollistit kuqezi.

Armando Broja me fanellën e Çelsit. Gazeta Si, 15 maj 2023

Skuadra që drejtohet nga italiani De Zerbi po mbyll një sezon shumë të mirë, mban vendin e 6-të në klasifikimin e Premier Ligës dhe ka mundësi reale për të marrë pjesë ne Kupat e Europës sezonin e ardhshëm.

Brajtoni e kërkon Brojën në formë huazimi. Nëse marrëveshja konkretizohet, për sulmuesin shqiptar do të ishte huazimi i dytë në Premier Ligë, pas atij te Sauthemptoni. Megjithatë, duhet pritur për të mësuar çfarë do të ndodhë konkretisht.

Broja ndërkohë i ka humbur dy ndeshjet e qershorit me Shqipërinë. Ai nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, pasi nuk mund të rikuperohet plotësisht në kohë dhe nuk mund të rrezikohet për këto ndeshje kualifikuese të Euro 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë