Politike

Arrestimi i Fredi Belerit, DASH: Autoritetet të zbatojnë ligjet në mënyrë të drejtë e të barabartë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.

Një zyrtar i DASH pasi është pyetur nga një gazetar i Iefimerida-s në Uashington është shprehur se është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat e zgjedhjeve.

DASH u ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe barabartë.

Në reagimin e DASH theksohet gjithashtu, se është përgjegjësi e autoriteteve që të garantojnë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe të ndalojnë shit-blerjen e votës.

“Ne kemi kërkuar vazhdimisht nga autoritetet dhe partitë politike që të garantojnë që votuesit të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është e rëndësishme që të gjithë të respektojnë ligjet dhe rregullat që rregullojnë zgjedhjet, si dhe rregullat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. U bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës amerikane i janë bashkuar institucioneve të tjera ndërkombëtare për të monitoruar zgjedhjet në të gjithë vendin”, u shpreh zyrtari i DASH sipas medias greke.

Fredi Beleri u vu në pranga me urdhër të Prokurorisë së Vlorës për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Në pranga u vu edhe Pandeli Kokoneshi i akuzuar për të njëjtën vepër penale. Policia thotë se pas arrestimit të tyre ka sekuestruar një shumë parash prej 40 mijë lekësh të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë