Gazeta Si – Në Teksas, nëntë persona u vranë dhe të paktën shtatë u plagosën në një sulm me armë zjarri në një dyqan në Allen, rreth 40 kilometra nga Dallasi.
Një burrë me veshje ushtarake hapi zjarr dhe qëlloi drejt turmës përpara se të vritej nga një oficer. Dyshohet se mes viktimave ka edhe fëmijë.
Mediat amerikane, thanë se autori qëlloi nga 14 deri në 60 të shtëna. Një tjetër episod i çmendurisë me armë në Shtetet e Bashkuara filloi rreth orës 3:30 të së shtunës, gjatë asaj që dukej si një pasdite tipike pazari në Allen Premium Outlets, një nga qendrat kryesore të shtetit.
Mijëra njerëz enden mes më shumë se njëqind dyqaneve në qendër, të pavetëdijshëm për makthin që do të përjetonin brenda pak minutash. Dëshmitarët thanë se papritmas dëgjuan një zhurmë të fortë armësh, midis 14 dhe 60 të shtëna, pastaj kaos.
Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur shmangien e një numri edhe më të rëndë. Policia tha se vrasësi, i cili kishte veshur “rroba ushtarake”, u vra nga një agjent që ndërhyri në vend.
Për momentin nuk dihen arsyet e masakrës. Një dëshmitar tha se “sulmuesi kishte veshur një jelek antiplumb dhe dukej se kishte marrë trajnime. Ai e dinte se çfarë po bënte”.
Një video tronditëse që qarkullon në Twitter tregon burrin, i veshur me një kostum të errët, duke zbritur nga një makinë gri në parkingun e qendrës tregtare dhe duke qëlluar mbi njerëzit.
Imazhet janë të paqarta dhe në distancë, por zhurma e armëve është e qartë. Gjithashtu këtë fundjavë në Kaliforni, një vajzë 17-vjeçare u vra dhe pesë djem të tjerë – nga 18 deri në 21 vjeç – u plagosën në disa të shtëna në një festë në Chico.
Që nga fillimi i vitit 2023 ka pasur më shumë se 150 të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave nga organizata jofitimprurëse “Arkivi i dhunës me armë”. Vitin e kaluar ishin 647, mesatarisht dy në ditë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



