Gazeta Si – Fitore me peshë e Interit në ‘Olimpico’, 0-2 ndaj Romës së Mourinjos, që pëson humbjen e 2-të në 4 javët e fundit dhe spostohet poshtë në renditje. Nuk kanë munguar protestat nga romanistët për një prekje të topit me dorë në zonë nga Darmian.
Vetëm pak orë zgjati gëzimi i Milanit për vendin e 4-t. Interi ka mundur Romën në transfertë dhe është ringjitur në zonën Champions, duke barazuar Juventusin e vendit të 3-të në kuotën e 63 pikëve.

Në Romë u luajt një ndeshje mjaft fizike. Në pjesën e parë Onana shpëtoi Interin nga një gjuajtje e Pelegrinit, pastaj Dimarko zhbllokoi ndeshjen, pas një asisti të Dumfris. Në pjesën e dytë Roma reagoi dhe kërkoi penallti për prekjen e topit me dorë nga Darmian, por VAR-i nuk e konsideroi atë të parregullt.
Romelu Lukaku mbylli llogaritë në minutën e 74-t, duke përfituar nga një gafë e Ibanjez. Në momentet e fundit Lautaro Martinez goditi traversën. Interi dhe Milani shkojnë kështu në derbin e Championsit pas fitoreve në kampionat. Roma me këtë humbje e komplikon shumë pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




