Dëshironi një martesë të gjatë dhe të lumtur? Bashkoni llogaritë bankare. Në këtë përfundim ka dalë një studim i ri i publikuar në “Journal of Consumer Research”.
Studimi tregoi se çiftet e martuara që kanë llogari bankare të përbashkëta jo vetëm që kanë marrëdhënie më të mirë, por ata ndihen më mirë për mënyrën se si trajtohen financat e familjes dhe kanë më pak debate në lidhje me shpenzimet.
Studiuesit rekrutuan 230 çifte që ishin ose të fejuar ose të sapomartuar, dhe i ndoqën ata gjatë dy viteve kur filluan jetën e tyre martesore së bashku.
Të gjithë e nisën studimin me llogari bankare të veçanta. Disa çifte u caktuan të mbanin llogaritë e tyre të ndara, dhe të tjerëve iu tha të hapnin një llogari të përbashkët.
Një grup i tretë gjithashtu u lejua të merrte vendimin vetë.
Analiza zbuloi se çiftet që hapën llogari bankare të përbashkëta raportuan një cilësi shumë më të lartë të marrëdhënies dy vjet më vonë sesa ata që mbanin llogari të ndara.
Shkencëtarët thanë se bashkimi i parave sjell transparencë midis çifteve në lidhje me shpenzimet. Kjo gjithashtu çon në një ‘kuptim të përbashkët të martesës’, kur partnerët u përgjigjen nevojave të njëri-tjetrit.
Ndërkohë çiftet me llogari të ndara e shihnin vendimmarrjen financiare si më shumë një shkëmbim dhe mund të mendojnë se është më e lehtë të shkëpusin marrëdhënien.
Rreth 20 për qind e çifteve pjesëmarrëse nuk e përfunduan studimin, duke përfshirë një përqindje të konsiderueshme të atyre që nuk bashkuan llogaritë bankare.
Autorja Jenny Olson, nga Universiteti i biznesit të Indianës tha se kur u anketuan njerëz që ishin martuar në kohë të ndryshme, ata që kishin shkrirë llogaritë raportuan nivele më të larta të dashurisë dhe mirëkuptimit në martesën e tyre krahasuar me njerëzit me llogari të ndara, apo edhe ata që i bashkuan pjesërisht financat e tyre.
“Ata që kishin llogari të përbashkët shpesh na thonin së ndiheshin sikur ishin më të lidhur pikërisht për faktin e ndarjes së një llogarie bankare. Kjo është dëshmia më e mirë që kemi deri më tani për një pyetje që formëson të ardhmen e çifteve dhe fakti që ne i studiuam këto ndryshime domethënëse gjatë dy viteve, mendoj se është një provë mjaft e mirë që i jep përgjigje pyetjes së çifteve të reja nëse duhet të bashkojnë llogaritë apo jo”, thotë Olson.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



