Gazeta Si – Vlora ishte stacioni i radhës sa u takon projekteve për stadiumet e reja në Shqipëri, pas Korçës dhe Durrësit. U zhvillua sot finalja e konkursit ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri “Flamurtari”, ku garonin 3 studio të huaja prestigjioze të arkitekturës, konkretisht FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA&Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë).

Ka fituar projekti i studios belge XDGA, që e bën stadiumin “Flamurtari” një qendër multifunksionale. Ky projekt ka si pjesë të tij edhe hotele, dyqane dhe lokale. Po ashtu, do të ketë edhe katër kulla dhe një pishinë. Bëhet fjalë për të njëjtën studio që projektuar edhe Lungomaren në Vlorë.
Gjatë ceremonisë para finales së këtij konkursi kanë folur kryeministri Edi Rama, presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. “Vlora është qyteti i radhës që i bashkohet trenit të stadiumeve të reja, me lokomotivë ‘Air Albanian’. Vlora e meriton një stadium, siç i ka hije”, – ka theksuar në fjalën e tij kryeministri Rama.
Ndryshe nga dy finalet e mëparshme, në Vlorë ka pasur një lloj proteste nga ana e përfaqësuesve të Flamurtarit karshi zyrtarëve të FSHF-së. Shkak është një lloj penalizimi, sipas drejtuesve vlonjatë, që FSHF i ka bërë Flamurtarit kohët e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




