Futboll

Shkodra nderon Hysen Zmijanin, një Kupë me emrin e ish-lojtarit të Kombëtares

Gazeta Si – Hysen Zmijani është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij kombëtar. Ish-mbrojtësi i shquar i Vllaznisë së viteve ’90 është nderuar sot, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, nga Bashkia e Shkodrës, që i ka akorduar titullin e “Mirënjohjes”.

Për dhënien e këtij titulli ishte organizuar një ceremoni nga kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili ka folur me superlativa për figurën e Hysen Zmijanit.

Ish-futbollisti shkodran ka qenë një nga më brilantët në rolin e tij, atë të mbrojtësit të djathtë. Ai ka merituar fanellën e Kombëtares, me të cilën kujtohet nga të gjithë goli që i ka shënuar Gjermanisë me goditje dënimi. Përveç Vllaznisë dhe Kombëtares, Zmijani ka luajtur edhe në kampionate të huaja, si në Francë, Gjermani dhe Arabinë Saudite.

Një tjetër dhuratë speciale për të nderuar figurën e Hysen Zmijani është organizimi i një Kupe me emrin e tij, me pjesëmarrjen e ekipeve të veteranëve të Vllaznisë, Tiranës dhe Flamurtarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë