Nga Gazeta ‘SI’ – Paraja në qarkullim në Shqipëri ka pësuar rënie të përgjithshme gjatë muajit mars.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të gjithë agregatët monetarë kanë pësuar rënie gjatë marsit. Shifrat tregojnë se pjesa më e madhe e parasë në qarkullim është valutë (720 mld lekë në mars) dhe pjesa tjetër monedha vendase, duke i bërë agregatët monetarë më të ekspozuar ndaj kursit të këmbimit. Reduktimi i parasë në qarkullim për muajin mars, duket të jetë efekti domino i zhvlerësimit të monedhës euro.
M1(paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) dhe M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë qendrore) u reduktuan me rreth 3 mld lekë për të njëjtën periudhë.
M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë qendrore) gjatë muajit mars, ra me 142 mld lekë nga shkurti.
Paraja jashtë bankës pati po ashtu një rënie me rreth 2.3 mld lekë nga shkurti në mars.


Një ditë më parë, Gazetasi.al raportoi rënien e fortë të depozitave, sidomos ato në valutë. Në muajt shkurt-mars 2023, rreth 30 miliardë lekë ”u fshinë” nga stoku i depozitave bankare në Shqipëri. Vlera totale e kursimeve ra në 1.26 trilionë lekë nga 1.28 që ishte në shkurt.
Kjo është rënia e dytë më e madhe e depozitave në tre vite, pas asaj që ndodhi një muaj më parë. Në shkurt 2023, depozitat u ulën me 15 mld lekë, 1.2% nga janari.
Depozitat në lekë janë ulur vetëm me rreth 1 mld, ndërsa ato në valutë me mbi 10 mld, nga muaji në muaj. Rënia kaq e madhe e depozitave në valutë, po ashtu duket të jetë tregues i zhvlerësimit të fortë të euros muajt e fundit. Edhe dollari ka pësuar po ashtu tendenca zhvlerësimi kundrejt euros. (BSH i raporton shifrat në lekë.)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




