Gazeta Si - Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, dyshohet se është planifikuar në Londër, ku jetonin 6 anëtarët e grupit kriminal që kryen ekzekutimin në 19 prill.
Sipas policisë, zbatimi i planit nisi para 3 muajsh, kur Edmond Haxhia mbërriti në Shqipëri dhe nisi të studionte lëvizjet e objektivit dhe rrugët që do të ndiqnin pas kryerjes së vrasjes.
Për të mos rënë në sy, britaniku Harry James Simpson, që ka pasur rolin e vëzhguesit të afërt, shihet të konsumojë disa birra dhe të luajë bilardo me një të mitur para vrasjes. Gjatë kësaj kohe ai shihet të fliste shpesh në telefon duke hyrë dhe dalë nga lokali.
LEXO EDHE:
- Gjakmarrja mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj, vrasjet nisën për 10 mijë lekë të vjetra karburant
- Një e afërme e porositësit të vrasjes së Nikulajt zbuloi autorët e dyshuar. Gjendet motori i 'killerit' portugez
- Shqiptaro-britaniku, anglezi dhe portugezi: Itinerari dhe roli i grupit të vrasësve të Ardian Nikulajt në Shëngjin
Pas Haxhiajt, i cili dyshohet të jetë porositësi, financuesi dhe organizatori i vrasjes së biznesmenit në Shëngjin për arsye gjakmarrjeje, më 14 shkurt në Shqipëri mbërriti ekzekutori portugez, Ruben Saraiva, i cili qëndroi në Shkodër për gati dy muaj në një banesë të marrë me qira.
Ai shpesh herë është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pranë lokalit “Coral” në Shëngjin duke ndjekur objektivin e tij. Në pjesën më të madhe të rasteve, “killeri” lëvizte me të njëjtat veshje.
Lëvizjet e britanikëve
Ndërsa në muajin mars, mbërritën 3 britanikë, mes tyre dhe një vajzë që kryenin rolin e vëzhguesit, duke u fshehur si turistë.
Ata kanë shkuar edhe brenda lokalit që konsiderohej vendi më i sigurt për Ardian Nikulajn dhe kishin fotografuar ambientet dhe studiuar hyrje-daljet.
I fundit në Shqipëri ka mbërritur Steven Hunt, i cili mbërriti në Rinas më 11 prill dhe dyshohet se ishte personi që njoftoi Ruben Saraivën se objektivi ishte i vetëm në tavolinë dhe mund të vepronte.
Pas krimit, të gjithë lanë Shqipërinë brenda 2 ditëve, por nuk mundën të fshehin gjithë gjurmët e lëna pas.
Dëshmi të personave që kanë ndjekur lëvizjet dhe takimet e ndodhura mes tyre në javët e qëndrimit në shtëpi, mjetet e marra me qira, si dhe sende të përdorura prej tyre shërbyen për identifikimin e tyre dhe dokumentimin e autorësisë në vrasje.
Të gjithë pjesëtarët e grupit, pas mbërritjes së tyre në Rinas janë pritur nga Edmond Haxhia, me një mjet që kishte marrë me qira, tip “Volkswagen Golf 5”.
Mjeti i ka pritur britanikët në Rinas pranë lokal “T…” . Në të njëjtin vend Edmond Haxhia është filmuar, dukë marrë në makinë më 14 shkurt portugezin Ruben Saraiva, i dyshuar si atentatori i Nikulajt.
Gjatë ditëve të qëndrimit, kamerat e lokalit i kanë fiksuar britanikët, duke konsumuar pije, hyjnë dhe dalin disa herë nga lokali, duke kryer veprime të dyshimta dhe duke filmuar me aparate celulare.
Roli i vëzhguesit të afërt
Britaniku tjetër, Harry James Simpson, i cili ka pasur rolin e vëzhguesit të afërt, është me 27 precedentë penalë për drogë e vjedhje në Britani.
Ai ka mbërritur në 11 prill dhe pranë lokal “T…” në orën 00.56, hipën në makinën “Volksëagen” dhe lëviz për në Lezhë.
Në orët e para të mëngjesit shihet në shëtitoren e Shëngjinit dhe në orën 03:09 shkon te hotel “R…..”.
Të nesërmen, deri ditën e vrasjes ka qëndruar në hotel “B…”. Sipas dëshmisë se recepsionistit, tre ditë ka paguar nga 30 euro dhe 5 ditët e tjera nga 30 mijë lekë nata.
Pagesën e ka kryer çdo ditë. Recepsionisti që fliste mirë anglisht, e ka kuptuar theksin britanik të klientit. Por nuk e ka regjistruar me pasaportë.
Dëshmitë
Harry James Simpson, ka pasur një valixhe me vete dhe ka shtyrë qëndrimin çdo ditë deri pasditen e 19 prillit.
Dëshmitë e kamerierit dhe banakierit te lokalit “Coral” dhe pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë se në 19 prill, Harry ka qëndruar në lokal nga ora 11:33 deri në momentin kur ndodhi vrasja.
Ai shihet të konsumojë disa birra dhe të luajë bilardo me një të mitur. Ai flet shpesh në telefon, hyn e del nga lokali.
Në orën 13:17, pesë minuta para ngjarjes, e deri në 13:23, fiksohet duke folur shpesh dhe shumë gjatë në telefon.
Sipas dëshmisë së recepsionistit, ditën e ngjarjes ai ka dalë në orën 09:00 të mëngjesit dhe është kthyer rreth drekës, duke i treguar recepsionistit për plumbat te lokali ku kishte qenë dhe ka kërkuar një taksi.
Me taksi është nisur në orën 14:30 dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në orën 15:30. Është filmuar nga kamerat e aeroportit të hyjë në tualet dhe të ndërrojë rrobat.
Ka bërë check-in dhe në 21:34 është fiksuar te pika e kontrollit të pasaportave, ku ka tentuar të kalojë pa e skanuar. Është thirrur nga policët dhe më pas është regjistruar.
Largimi një ditë pas vrasjes
Nga ana tjetër, i akuzuari si porositës dhe financues, Edmond Haxhia ka hyrë në Shqipëri në 24 nëntor dhe ka dalë në 20 prill nga Rinasi, pikërisht një ditë pas vrasjes.
Po ashtu mësohet se pistoleta TT me të cilën është kryer vrasja dyshohet se është hedhur në lumin Drin. Polumbarët dhe forcat RENEA kanë vijuar kontrollet, por deri tani pa rezultate.
Dyshohet se Haxhia ka porositur vrasjen, me qëllimin e hakmarrjes. Ai është nipi i Elton dhe Klodian Lestakajt, të cilët ishin në gjak me Nikulajn. Vrasja dyshohet se është planifikuar në Londër, ku këta shtetas jetojnë.
Pamjet e përftuara, makinat e sekuestruara, motori dhe veshjet e përdorura nga autori sipas policisë dhe prokurorisë, kanë provuar dhe dokumentuar se të gjithë mekanizmin e vrasjes së biznesmenit 50-vjeçar në lokalin e tij.
Të shpallur në kërkim nga policia:
Edmond Haxhia, shtetas shqiptaro-britanik (porositësi dhe financuesi i atentatit)
Ruben Saraiva (ekzekutori portugez)
Harry Simson, shtetas britanik
Harriet Bridgeman, shtetase britanike
Thomas Mithan, shtetas britanik
Steven Hunt, shtetas britanik (shfaqet në kamerat e sigurisë teksa vëzhgon lëvizjet e Nikulajt)
4 britanikët Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, portugezi Ruben Saravia dhe Edmond Haxhia akuzohen për “Vrasje për Gjakmarrje” dhe “Armëmbajtje pa leje”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.