Ne rrjet

Vrasja e Nikulajt në Lezhë, ‘Daily Mail’: Autorët e dyshuar rrezikojnë deri në 31 vjet burg në Shqipëri

Gazeta Si - Autorët dhe organizatorët e vrasjes së Ardian Nikulajt në Shëngjin të Lezhës rrezikojnë deri në 31 vjet burg.

Tre britanikë, mes të cilëve edhe një nënë e re, rrezikojnë ta kalojnë pjesën tjetër të jetës në burg në Shqipëri, “pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi vrasësish”.

Kështu shkruan e përditshmja “Daily Mail", duke iu referuar të arrestuarve në Britaninë e Madhe për vrasjen e biznesmenit Nikulaj.

Edmond Haxhia, me banim në Midlands, iu afrua Harriet Bridgeman, Steven Hunt dhe Thomas Mithan për të kryer vrasjen e biznesmenit në Lezhë. Qeveria shqiptare kërkon të ekstradojë tre britanikët për t’u gjykuar për vrasje në Shqipëri”’, shkruan tabloidi britanik, i cili thekson se nëse shpallen fajtorë, ata përballen me një minimum prej 31 vitesh burg.

Prokuroria shqiptare pretendon se 3 britanikë, duke përfshirë edhe nënën e një djali 7 vjeç, ishin të përfshirë në krim.

Sipas hetuesve, Edmond Haxhia kontaktoi me Harriet Bridgeman, Steven Hunt dhe Thomas Mithan për ta ndihmuar në planin për të larë hesapet disa vjeçare me biznesmenin Nikulaj.

Menjëherë pas ekzekutimit të biznesmenit në lokalin e tij, shtetasit britanikë bashkë me portugezin që kreu vrasjen, janë larguar nga Shqipëria, por prokuroria e Lezhës, kërkon ti ekstradojë ata për t'u gjykuar për vrasje në Shqipëri.

Dosja në gjykatën e VVestminsterit ku po shqyrtohet kërkesa për ekstradim, tregon se të afërmit e Edmond Haxhisë dhe Ardian Nikulajt ishin përfshirë në një 'gjakmarrje'  disa vjeçare.

Më 25 qershor 1997, në Lezhë, Gëzim Lekstakaj dhe Lorent Gjetja dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri Pëllumb Nikulaj, vëllain e Ardian Nikulajt. Më pas, në shtator të atij viti, Lekstakaj dhe Gjetja u qëlluan për vdekje në një sulm hakmarrjeje, të cilin thuhet se e kishte organizuar Nikulaj.

Në mars të vitit 1999, në një fshat të Shqipërisë, dy anëtarë të familjes Lekstakaj  Gjovalini dhe Pjetri qëlluan me armë zjarri ndaj Nikoll Nikulajt, xhaxhait të Ardianit. Ai u kundërpërgjigj me pushkë gjuetie, duke vrarë Gjovalin dhe plagosur Pjetrin  i cili u largua në Birmingham.

Në vitin 2007, Shqipëria tentoi ta ekstradonte Pjeter Lekstakajn për tentativën e vrasjes së Nikoll Nikulajt, por kërkesa dështoi.

Avokatët e Lekstakajt argumentuan se ai vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe burgjet shqiptare nuk do të mund të trajtonin të dënuar me këtë gjendje.

Tre shtetasit britanikë dyshohet se kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të kryer vëzhgimin e Ardian Nikulajt në lokalin e tij, në Shëngjin.

Ruben Saraiva, 27 vjeç, i lindur në Portugali dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar, është personi që qëlloi biznesmenin.

Ai u largua nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes, por u arrestua në Marok në fillim të majit, ku është dërguar kërkesa e ekstradimit.

Shqiptari Haxhia dhe britanikët Hunt, Bridgeman dhe Mithan, mohojnë që kanë survejuar viktimën.

Haxhia po ashtu, nuk pranon që të ketë organizuar vrasjen. Ai, Hunt dhe Mithan, vijojnë të jenë në paraburgim.

Vetëm Bridgeman ka mundur të dalë me kusht, pasi babai i saj pagoi 20 mijë dollarë.

Sipas “Daily Mail”, seanca dëgjimore për ekstradimin pritet që të mbahet në muajin nëntor të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë