Gazeta Si – Një 28-vjeçar i identifikuar si S.B., është arrestuar nga policia e Sarandës, pasi dyshohet se ka dijeni për autorët që fshihen pas zhdukjes së 46-vjeçarëve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se policia ka ndaluar 28-vjeçarin me iniciale S.B, nga Saranda, rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes.
Ndaj tij, Gjykata e Sarandës ka caktuar ditën e djeshme (27 prill) masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Burime bëjnë me dije se i riu dyshohet t’u ketë dhënë me qira autorëve, një banesë dhe garazh në fshatin Nivicë të Bashkisë Himarë.
28-vjeçari raportohet se ka “kyçur” gojën para hetuesve dhe s’ka treguar emrat e personave, të cilëve u ka vënë në dispozicion ambientet.
Pikërisht në pronën e tij, policia ka gjetur automjetin tip “Mercedes-Benz E Class”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët për rrëmbimin e dy 46-vjeçarëve, si edhe për vendosjen e një sasi eksplozivi në banesë e Lefter Lefterit alias Afëz Kulla në dhjetor 2022.
Dy personat e marrë peng, ka shumë dyshime të forta se janë ekzekutuar në fshatin Vrinë të Sarandës për një mosmarrëveshje për shitjen e një toke, ndërsa trupat e tyre ende nuk janë gjetur.
Ndërkohë për llogari të hetimeve që po kryhen për të dyja ngjarjet, policia ka sekuestruar dhe një mjet tip “Range-Rover”, të vjedhur. Pikërisht në këtë makinë janë fiksuar gjurmë gishti dhe profile biologjike të ADN-së.
Këto prova janë çuar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore me shpresën e identifikimit të personave.
Ndërkohë makina tjetër tip “Benz-Mercedez” me targa të vjedhura në Tiranë, prej muajit dhjetor 2022 është mbajtur qnë një banesë në fshatin Nivicë.
Ku pasi është lyer me bojë tjetër, sërisht ka dalë në qarkullim në rrugët e Sarandës, po këtë herë për të marë peng dhe transportuar drejt fshatit Vrinë, Fatmir Sulovarin.
Ka indicie të forta se, Fatmir Sulovari dhe Leonard Theodhori, (Koçole) u zhdukën në 6 prill 2023.
Ndërkohë në 10 Prill, familjarët i janë drejtuar komisariatit të Sarandës, duke depozituar kallëzim penal për humbjen pa gjurmë të dy personazheve të botës së krimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


