Gazeta Si – Sfida direkt e dy kryesuesve të Premeir Ligës është fituar bindshëm nga Mançester Siti, 4-1. De Bryjne me një dopietë, Stons dhe Haland kanë tronditur Arsenalin, inercia e të cilit duket se ka përfunduar. ‘Qytetarët’ janë -2 pikë nga kreu, por kanë dy ndeshje më pak.
Arsenali nuk di më të fitojë dhe sot është mundur thellë në përballjen direkt me Mançester Sitin. Me dy ndeshjet që kanë për të luajtur, pra me 6 pikë në lojë, Guardiola dhe të tijtë mund ta parakalojnë Arsenalin me lehtësi. Titulli duket shumë afër Sitit.
Një fitore e madhe, një skuadër e madhe në ndeshjen më të rëndësishme. Në ‘Etihad’ të besuarit e Guardiolës treguan se janë skuadra më e fortë që në fillim, duke e zhbllokuar ndeshjen pas 7 minutash me De Bryjne. Ritmi ishte i lartë dhe Siti dominoi, ndërsa Ramsdejl bëri tri pritje vendimtare.
Arsenali u shkërmoq në pjesën e dytë, duke pësuar edhe 3 gola të tjerë. Goli i Stons u anulua fillimisht dhe pastaj u bë i vlefshëm nga VAR-i. Loja vazhdoi me sens unik. De Bryjne shënoi edhe golin e 3-të, duke mbyllur ndeshjen praktikisht. Arsenali ishte konfuz gjithë ndeshjen, por gjeti golin e nderit 3 minuta para fundit me Holding. Në shtesë Haland realizoi golin e 4-t.
Çelsi i Frenk Lampard është në kolaps total, sot u mund të shtëpi 0-2 nga Brentfordi i Strakoshës. Trajneri i përkohshëm pësoi humbjen e 5-të në po kaq ndeshje. Londinezët luajnë me shumë gabime në lojë, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të shënojë.
Mudrik dhe Aubamejang i dhanë më shumë forcë Çelsit në pjesën e dytë, por Brentfordi heshti ‘Stamford Bridge’ 12 minuta para fundit me golin e dytë. Çelsi mbetet në kuotën e 39 pikëve, në vend të 11-të dhe me Europën tashmë një mirazh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




