Gazeta Si – Interi është finalisti i parë i Kupës së Italisë 2022/23. Zikaltrit mundën 1-0 Juventusin në ‘San Siro’, në gjysmëfinalen e dytë, dhe duke llogaritur barazimin 1-1 në ndeshjen e parë, janë kualifikuar për në aktin përmyllës të kompeticionit. Më 24 maj Interi do të ndeshet me fituesin çiftit Fiorentina-Kremoneze.

Ndeshja e sotme u vendos nga një gol i Dimarkos që në minutën e 15-të. Ishte një ndeshje në total pak spektakolare nga ana e Interit, por duhet theksuar se kualifikimi nuk u vu asnjëherë në diskutim. Xhekos iu anulua një gol për pozicion jashtë loje. Juventusi bëri një lojë të shëmtuar në këtë sfisë dhe e meritoi eliminimin.
Inzagi ka kështu mundësinë për të mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar. Për Alegrin vazhdon sezoni i komplikuar dhe tashmë ka mbetur në lojë vetëm Liga e Europës.
Kristjan Asllani nuk pati fatin të zbriste në fushë asnjë minutë në ndeshjen e sotme. Mesfushori shqiptar qëndroi gjithë kohën në stol, por sigurisht që dhe ai ka festuar me ekipin për kalimin në finale të Kupës së Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




