Gazeta Si – Nëse drejtësia sportive nuk vendos para fundit të korrikut, do të jetë paneli i ‘Fair Play’-it të UEFA-s që do të përcaktojë fatin e klubit italian. Sepse në atë kohë duhet të jenë plotësuar listat e turneve.
Koha shtrëngon për Juventusin. UEFA mund ta presë Italinë, por jo shumë, sepse duhet bërë regjistrimi i klubeve pjesëmarrëse në kompeticionet europiane. Duhen kompletuar listat e skuadrave të tureve paraeliminatore, play-off-it dhe shorti i verës. Pra, ka një lloj nxitimi të heshtur.

Nëse koha e hetimit për plusvalencat e Juventusit zgjatet, Nioni nuk do të presë gjykatën italiane, por do të vendosë në autonomi fatin e klubit bardhezi, pas hetimit të tij paralel. Sigurisht, dënimi i drejtuesve dhe konfirmimi i sjelljes “antisportive” nuk e ndihmojnë skuadrën e Alegrit.
Rreziku është që të mbetet jashtë Kupave të Europës të paktën për një vit. Edhe nëse Juventusi fiton Ligën e Europës nuk ndryshon asgjë për gjykatësit e Nionit, por do të ishte thelbësor për të mos llogaritur një skualifikim të mundshëm pas dy vitesh, duke zgjatur kështu Purgatorin.
Pastaj vjen fija e dytë e hetimit, ajo që ka të bëjë me pagat e lojtarëve. Për të mos folur për Superligën dhe sentencën e Këshillit të BE-së, që pritet në qershor. Një situatë mjaft kaotike për Juventusin, që për momentin ka 15 pikët e rikthyera në renditje dhe mban vendin e 3-të. Renditja e çon në Europë, por më parë duhet të përfundojë hetimi.
Nëse Juventusi nuk ia del të kualifikohet për në Europë, del pas vendit të 7-të dhe nuk fiton Kupën e Italisë ose Ligën e Europës, ka më pak urgjencë. UEFA mund të lejojë pritjen e konkluzioneve të drejtësisë italiane. Por do të ishte telash për Juventusin, duke qenë se ndëshkimet llogariten në sezonin e parë që shkon në Europë. Dhe këtu bëhet fjalë jo para sezonit 2024-2025.
Nëse Juventusi shkon në Europë, skenari ndryshon. Pas finales së Championsit më 10 qershor në Stamboll, UEFA duhet të përcaktojë listën e gjithë skuadrave që regjistrohen në këtë kompeticion, Ligën e Europës dhe të Konferencës. Në atë kohë procesi i Juventusit nuk do të ketë përfunduar dhe pranë emrit të tij do të ketë një pikëpyetje të madhe.
UEFA mund t’i lërë Italisë edhe pak kohë, maksimumi deri në fund të korrikut ose fillim të gushtit. Por më shumë se kaq nuk pret, sepse javën e fundit të gushtit një nga skuadrat italiane duhet të luajë në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës.

UEFA po kryen prej kohësh një hetim paralel autonom në raport me atë italian. Ka gjithë dokumentacionin e Prokurorisë së Torinos. Në Nion janë optimistë se vendimi italian mund të merret brenda fundit të qershorit. Nëse Kolegji i garancisë së Coni-t ka konfirmuar dënimin e drejtuesve dhe antisportivitetin, pritet një motivacion i ri dhe një penalizim i reduktuar.
Nëse drejtësia italiane vonon, vendimin do ta marrë komisioni i ‘Fair Play’-it të UEFA-s. Dhe nëse hetimi vërteton se shifrat e komunikuara janë false, do të thotë se pakti nuk është respektuar dhe është e pamundur që Juventusi t’i shpëtojë dënimit. Kjo është një shkelje shumë e rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




