Menaxhim

5 Dhomat e Tregtisë në Shqipëri kërkojnë reformim: Përmirësoni ambientin për të bërë biznes

Nga Gazeta ‘Si’-Dhomat e huaja të tregtisë në Shqipëri kanë shprehur shqetësimin e tyre për klimën aktuale të biznesit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “joefektive, dhe si një ndër sfidat kryesore të sipërmarrjes”.

Sipas deklaratës, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Dhoma Gjermane e Tregtisë (DIHA), Dhoma Italiane e Tregtisë, Confindustria Albania dhe Dhoma Franceze e Tregtisë, bashkohen në qëndrimin e tyre mbi gjendjen e mjedisit të biznesit në Shqipëri.

Ato i bënë thirrje Kuvendit, qeverisë dhe agjencive të tjera publike që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse në ekonomi dhe investime.

“Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e vendit për biznes dhe investime të huaja, për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve natyrore dhe fuqisë punëtore të talentuar.

Megjithatë, anëtarët tanë vijojnë ta rendisin klimën e biznesit si një nga tri sfidat kryesore të sipërmarrjes në Shqipëri dhe ne besojmë se mjedisi aktual është joefektiv dhe ka nevojë për përmirësim të konsiderueshëm. Si një vend aspirant për anëtarësimin në BE, ne i bëjmë thirrje Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Agjencive të tjera publike përgjegjëse që të angazhohen me reforma gjithëpërfshirëse ekonomike dhe investimesh”, thuhet në deklaratë.

Dhomat e Tregtisë kërkuan “miratimin e një strategjie investimi për të reduktuar ndjeshëm pengesat burokratike”, një sistem për lëshimin e lejeve si dhe nxitjen e projekteve të bazuar mbi shumën e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ato kërkuan zbatimin e një pakete për luftën kundër korrupsionit, me masa kundër rryshfetit sipas standardeve të OECD-së(Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik) dhe me transparencë të agjencive publike.

“Kjo reformë do të rriste ndjeshëm besimin e komunitetit të biznesit në përgjithësi dhe veçanërisht të kompanive të huaja që investojnë në Shqipëri” – theksohet në deklaratë.

Midis kërkesave renditet edhe nevoja për një reformë që të rritet besueshmëria dhe rezultatet e prokurimeve publike.

“Duhen miratuar Standardet e të Dhënave të Hapura të Kontraktimit (Open Contracting Data Standards) në proceset e prokurimeve, duke eliminuar “përjashtimet e veçanta” nga prokurimi i fondeve publike”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Dhomat e Tregtisë kërkuan goditjen e informalitetit në ekonomi, mosndryshimin e ligjeve tatimore në periudha më pak se 4 vjet, si dhe modernizimin e sistemit të taksave sipas standardeve ndërkombëtare.

“Kjo reformë do të krijojë një regjim taksimi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm, për të tërhequr investimet e huaja dhe ato vendase” – thuhet në deklaratë.

Organizatat e sipërmarrjeve propozuan që një Këshill i ri Ekonomik Kombëtar të mbështesë investimet e huaja të drejtpërdrejta, duke shërbyer si platformë për dialog dhe bashkëpunim midis sektorëve publik dhe privat, për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe për krijimin e një klime më të favorshme investimesh.

“Këto reforma të propozuara do të krijojnë një mjedis biznesi më të favorshëm në Shqipëri, do të tërheqin investime të huaja të drejtpërdrejta dhe do të lehtësojnë tranzicionin e Shqipërisë në BE dhe tregjet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Dhomave të Tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë