Menaxhim

Portali i Fermerit/ Rama: Bën transparencë të çmimeve. Fermerët do të shohin mundësitë për financime

Nga Gazeta ‘Si’ – Gjatë prezantimit të Portalit të Fermerit, kryeministri Edi Rama tha se me këtë aplikacion fermerët do të fitojnë pavarësinë duke marrë të dhëna në kohë reale dhe do të kenë transparencë lidhur me çmimet.

Sipas tij, portali do të ndihmojë fermerët që të kuptojnë se çfarë kërkon tregu dhe për pasojë edhe se çfarë kulturash duhet të kultivojnë.

“Do të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat, pengesat, pamundësitë, ose edhe nga dezinformimi, keqinformimi, shtrembërimi i fakteve, që jo gjithmonë ndodh qëllimisht. Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes pa dalë nga shtëpia duke pirë kafen fermeri hap dhe shikon sa janë çmimet. Askush nga grumbulluesit nuk mund t’i fshihet realitetit të çmimit duke bërë truqe dhe abuzime”, tha Rama.

Më tej ai shtoi se synimi i këtij aplikacioni është fuqizimi i kapaciteteve, rritja e kapitalit njerëzor, rritja e aftësisë për të pasur akses në financimet e ndryshme, që nga ato shtetërore, evropiane apo donatorëve.

“Ky portal jep mundësinë që të shikosh se cilat janë rrugët për të marrë financim dhe që të shikosh, po ashtu, se çfarë kanë bërë ata që kanë marrë financim sepse financimet në bujqësi do të jenë gjithmonë e më pak, vetvetiu, financime që shpërndahen pavarësisht se çfarë bën ti dhe do jenë gjithmonë e më shumë financime në varësi të asaj që bën ti.

Pra, nëse ti insiston të mbjellësh një kulturë që nuk ka sukses, ti nuk mund të marrësh financim. Me zor njeri nuk të vjen të ta shkulë atë kulturën dhe të thotë: ‘Kjo në fund do përfundojë në kanal se ti nuk do e shesësh dot’, por ama do të bëjë gjithçka sistemi i mbështetjes, Ministria e Bujqësisë, drejtoritë që ti ta dish këtë gjë.’- u shpreh Rama.

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tha se në Portalin e Fermerit tashmë ndodhen të gjithë tregjet e shumicës, subjektet përpunuese dhe gjithashtu subjektet grumbulluese.

“Në Portalin e Fermerit do të gjeni gjithçka për analizat laboratorike të tokës, ujit apo produkteve me vendndodhjen dhe çmimet e shërbimeve. Do të gjeni kontaktet e shërbimeve agronome dhe veterinare për secilin qark për t’i kontaktuar sa herë të keni nevojë. Bashkë me adresat dhe vendndodhjet e farmacive bujqësore, atyre veterinare dhe tregtarëve të inputeve të të gjithë vendit, ndërkohë që lexoni lehtësisht dhe listat e produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe të kafshëve të përditësuara. Do të keni po ashtu mundësi të njiheni me të gjitha fidanishtet e Shqipërisë dhe specializimin e tyre e po ashtu do të mund të aksesoni të gjithë bletërritësit e vendit nga veriu në jug”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë