Lodhja është një ndjenjë që e përjetojmë shpesh. Kur bëjmë aktivitete të caktuara, fizike ose mendore gjatë një periudhe të caktuar kohore, ndihemi të lodhur dhe të rraskapitur.
Lodhjen mund ta përkufizojmë si mungesë force pas punës por edhe trishtimi, zhgënjimi, pakënaqësia mund të na bëjnë të ndihemi të lodhur, ndoshta edhe të rraskapitur.
Në çdo rast, lodhja ka efekte të mëdha në sjelljen tonë, duke rezultuar në vështirësi më të mëdha për të ruajtur vetëkontrollin.
Kjo është shumë e perceptueshme tek fëmijët, sepse kur janë të lodhur, qoftë pas një aktiviteti, qoftë si pasojë e mërzisë apo zhgënjimit, ata priren të sillen në mënyra që i bezdisin prindërit. Ata “sillen keq”. Por pse ndodh kjo?
Çdo gjë lidhet me trurin. Truri gjeneron të gjitha mendimet dhe sjelljet tona dhe zona të ndryshme të trurit kanë detyra specifike.
Kontrolli i sjelljes trajtohet në mënyrë specifike nga një zonë e quajtur korteksi paraballor. Ndodhet në pjesën më të përparme të trurit, menjëherë pas ballit.
Korteksi paraballor është përgjegjës për menaxhimin e detyrave komplekse njohëse, të cilat grupohen nën emrin e funksioneve ekzekutive. Ai na ndihmon të kontrollojmë sjelljen tonë.
Dhe nga i gjithë truri, pjesa që konsumon më shumë energji është pikërisht korteksi paraballor.
Kur jemi të lodhur, metabolizmi ynë tenton të shpërndajë energjinë, duke ulur kështu energjinë e disponueshme për korteksin paraballor për të kryer funksionet e tij me efikasitet maksimal.
Kështu, fëmijët e kanë më të vështirë të mendojnë, planifikojnë, vendosin dhe menaxhojnë emocionet sepse korteksi paraballor ka më pak “karburant” për të funksionuar.
Pavarësisht se e dinë se ka gjëra që nuk mund t’i bëjnë ose që ne nuk u lejohet t’i bëjnë, kur janë të lodhur, fëmijët nuk mendojnë asgjë dhe gjasat që të sillen keq rriten.
E njëjta gjë ndodh edhe kur janë të lodhur, trishtuar, acaruar apo të uritur.
Çfarë mund të bëjnë prindërit kur fëmijët sillen keq?
Psikologët këshillojnë që më e rëndësishmja është që prindërit të bëjnë atë që u duket e drejtë. Nëse bëni diçka në të cilën nuk besoni ose që nuk mendoni se është e drejtë, ndoshta nuk do të funksionojë. Fëmijët vënë re gjithçka.
Mos u dorëzoni
Pasi të keni vendosur të bëni diçka, vazhdoni ta bëni atë. Zgjidhjet kërkojnë kohë për t’u pranuar nga fëmijët.
Jini të qëndrueshëm
Fëmijët kanë nevojë për qëndrueshmëri. Nëse reagoni ndaj sjelljes së fëmijës tuaj në një mënyrë një ditë dhe në një mënyrë tjetër ditën tjetër, kjo është konfuze për ta. Është gjithashtu e rëndësishme që të gjithë afër fëmijës tuaj të merren me sjelljen e tyre në të njëjtën mënyrë.
Mundohuni të mos reagoni tepër
Kjo mund të jetë e vështirë. Kur fëmija juaj bën diçka të bezdisshme herë pas here, zemërimi dhe zhgënjimi juaj mund të rritet.
Është e pamundur të mos e shfaqni ndonjëherë acarimin tuaj, por përpiquni të qëndroni të qetë. Gjeni mënyra të tjera për të përballuar zhgënjimin tuaj, si për shembull të flisni me prindërit e tjerë.
Flisni me fëmijën tuaj
Një hap i rëndësishëm është edhe biseda me fëmijët. Kjo mund të ndihmojë që ata të kuptojnë pse ju dëshironi që ata të bëjnë cfarë thoni ju.
Pasi fëmija juaj të mund të flasë, nxiteni të shpjegojë pse është i zemëruar ose i mërzitur. Kjo do t’i ndihmojë ata të ndihen më pak të acaruar.
Jini pozitiv për gjërat e mira
Kur sjellja e një fëmije është jo e mirë, gjërat që ai bën mirë mund të anashkalohen. Tregojini fëmijës tuaj kur jeni të kënaqur për diçka që ai ka bërë.
Shmangni goditjen
Goditja mund të ndalojë një fëmijë të bëjë atë që po bën në atë moment, por nuk ka një efekt të qëndrueshëm pozitiv.
Fëmijët mësojnë me shembull, kështu që, nëse e goditni fëmijën tuaj, po i thoni se goditja është në rregull. Fëmijët që trajtohen në mënyrë agresive nga prindërit e tyre kanë më shumë gjasa të jenë vetë agresivë. Në vend të kësaj është më mirë të jepni një shembull të mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



