Vitin e kaluar, disa pjesë të Europës panë thatësirë aq të rëndë saqë furnizimet me ujë të pijshëm ishin të kufizuara. Një dimër me pak reshje u pasua nga një nga verat më të thata të regjistruara dhe miliona njerëz vuajtën pasojat e këtyre kushteve ekstreme të motit.
Komisioni Europian ka paralajmëruar se rajonet europiane dhe mesdhetare mund të kenë një tjetër verë ekstreme këtë vit.
Tani disa banorë në rajonet që panë thatësirën më të keqe të vitit të kaluar po përgatiten për një përsëritje të kufizimeve me të cilat u përballën më parë.
Në verilindje të Spanjës, shërbimi i motit thotë se thatësira ka arritur “përmasa të jashtëzakonshme”.
Një nga vendet që vuan më shumë është Katalonja. Rezervuari Sau është në 9 për qind të kapacitetit të tij total dhe uji i pijshëm për gjashtë milionë njerëz që jetojnë në zonën metropolitane të Barcelonës është në rrezik.
Disa komuna kanë rezerva aq të ulëta saqë po marrin ujë nga vendet e tjera për të furnizuar njerëzit.
Vitin e kaluar, njerëzit në komunën e Bonastre në Baix Penedès, Katalonjë mund të përdornin ujin për vetëm 4 orë në ditë. Aktualisht nuk ka asnjë kufizim por banorët janë dorëzuar duke e ditur se do përsëritet situata e verës së kaluar.
“Ne nuk kemi frikë se do të ketë përsëri kufizime, sepse është diçka me të cilën jemi mësuar”, thotë Mario Ferrara, banor i Bonastre.
Këshilli i bashkisë ka ndërtuar një pus të ri, thotë Mario, sepse ai që përdornin më parë është tharë.
Pusi i ri ishte pjesë e një plani të bashkisë për të frenuar mungesën dhe kufizimet e ujit dhe u përfundua në fund të vitit 2022.
Por, shton Mario, “kjo është më shumë një pengesë sesa një zgjidhje përfundimtare”.
Këtë vit ai thotë se po përgatitet për verën duke blerë shishe dhe bidona me ujë.
“Zgjidhja pasi të vendosen kufizimet do të jetë të bëjmë dush para fqinjëve në mënyrë që të mos mbetemi pa ujë”.
Fshati Castellcir në veri të Barcelonës ka 800 banorë. Banorët kanë përdorur cisterna për “pothuajse një vit” për të marrë ujë.
Isabel Forner, pronare e një dyqani veshjesh në fshat thotë se toka është më e thatë se kurrë.
“Nuk ka rënë fare shi këtë dimër dhe toka është aq e thatë, saqë kur binte borë, e thithte menjëherë. Bora nuk zgjaste as pesë sekonda për shkak të mungesës së ujit”.
Katër herë në ditë, kamionët shkojnë atje për të rimbushur rezervuarët e tyre të ujit.
Një nga problemet më të mëdha janë njerëzit që shkojnë nga jashtë në fshat për pushime dhe i shpërfillin kufizimet. Pushuesit janë një problem edhe për zjarret.
“Edhe pse duhet të bëjmë kujdes dhe ka rregullore, turistët përsëri ndezin zjarre”.
Veriu i Italisë pësoi thatësirat më të këqija që ka parë në 70 vjet verën e kaluar. Disa rajone mbetën pothuajse tërësisht pa ujë për të ujitur të korrat, duke vënë në rrezik furnizimet ushqimore. Nivelet në lumin Po ranë në një rekord të ulët.
Dhe pellgu i lumit më të gjatë të Italisë po vuan ende efektet pas një dimri me pak shi. Këtë dimër, rruga ujore ka mbetur në nivele që rrallë janë parë ndonjëherë edhe në kulmin e verës.
Leonardo Pozzati është një pronar biznesi lokal dhe banor i fshatit Ariano nel Polesine përgjatë lumit Po.
“Unë kam kuaj dhe kafshë të tjera. Furnizimi i tyre me ujë vjen direkt nga toka duke përdorur një pompë dhe një pus rreth 10 metra të thellë”, shpjegon ai.
Këtë vit, ekziston një mundësi që nëse niveli i ujërave nëntokësore bie mjaftueshëm, pusi do të thahet.
Leonardo thotë se ky mund të jetë një problem për shumë njerëz në zonë që përdorin puset për të marrë ujë për bimët dhe të korrat e tyre.
“Për t’u përgatitur, po shikoj mundësi që padyshim kushtojnë para”, shton ai.
Maria Camisotti, një tjetër nga banorët e Ariano nel Polesine, po mendon për zgjidhje të reja pasi është e sigurt se do të ketë mungesë uji këtë verë.
“Unë nuk kam mbjellë shumë perime këtë vit, sepse jam e shqetësuar se do të shkurtojnë furnizimin ose do të kufizojnë orët si vitin e kaluar”.
“50 vite më parë kishte një problem krejtësisht të kundërt pasi lumi Po ishte plot, kishte shumë ujë. Por tashmë misri është me cilësi të dobët, sepse është shumë i thatë. Pas dy dimrave të thatë, zgjedhja ime për këtë verë është të lutem dhe të shpresoj”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



