Nga Gazeta ‘SI’ – Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se 30 prilli është afati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2022.
Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2022 kanë pagë bruto vjetore mbi 2 mln lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Tatimet pohojnë se Tatimpaguesi gjobitet në rastet kur:
– Nuk dorëzon në afat deklaratën tatimore
– Deklarata tatimore nuk është e saktë
– Informacioni është i gabuar, i rremë apo i pakorrigjuar brenda afatit ligjor
Sipas Tatimeve, detyrimin për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave e kanë:
– Individët rezidentë, të cilët kanë realizuar të ardhura, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në shumën 2 mln lekë e më tepër.
– Individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2 mln (dy milionë) lekë e më tepër.
– Individët të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.
Për vitin 2021 ishin 82.178 individë gjithsej, të cilët kishin detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave personale. Nga këta, 13,521 individë kishin paga bruto vjetore mbi 2 milionë Lekë. Ndërsa 68.657 individë kishin detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave pasi kanë qenë të dypunёsuar tё paktёn nё njё periudhë tё vitit.
Për individët që kanë të ardhura bruto nga paga mbi 2 milionë lekë dhe nuk kanë pasur të ardhur pagë tjetër, ky deklarim nuk sjell pagesë shtesë të tatimit mbi të ardhurat personale, pasi ata e kanë paguar TAP të plotë gjatë vitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.