Gazeta Si – Vendimi i shpallur nga kryeministri për shpërblimin e pensionistëve me 5 mijë lekë për muajin prill shkakton përplasjen e parë ndërmjet Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Kryeministri, ndonëse pa i përmendur emrin, reagoi ndaj Berishës, i cili e akuzoi se po shkelte Kodin zgjedhor me vendimin e tij. Sipas tij, ligji zgjedhor nuk vlen për zgjedhjet lokale, por për zgjedhjet e përgjithshme.
“Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj”, – shkruan Rama në rrjetet sociale.
Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re. Leximin me zë ua bëjnë pensionistët në 14 maj🫶 pic.twitter.com/qkJ8OXF1cZ
— Edi Rama (@ediramaal) March 29, 2023
Kreu i grupimit të Rithemelimit të PD-së, Berisha, gjatë një takimi në prezantimin e kandidatit Servet Duzha për Cërrikun tha se Ramës ligji ia ndalon. “Nëse kjo qeveri do të kishte dëshirë dhe ndjenja për të ndihmuar qytetarët, vetëm me borxhin që ka marrë prej 5 miliardë euro, mund të kishte rritur rrogat e shqiptarëve, 6 herë, mund të kishte rritur pensione dhe rroga 3 herë.
Asgjë të tillë nuk e ka bërë. Tani si një njeri që nuk njeh ligj, që nuk përfill ligj, normë e asgjë, thotë se do t’u japë pensionistëve, në kundërshtim flagrant me kodin, 50 mijë lekë, u premtoi 80 mijë”, – tha Berisha.
Por pavarësisht kësaj ai shtoi se “Çdo pensionisti i them t’i gëzoni ato, pavarësisht se ai njeri nuk ka ligj e moral, por ju t’i gëzoni dhe ju garantoj ju se në aktet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë dyfishimi i rrogave dhe pensioneve dhe më shumë dhe se Shqipëria dhe shqiptarët, do të ngjiten përsëri në krye të rrogave dhe pensioneve në rajonin tonë. Sepse Shqipëria dhe shqiptarët kanë një vend më të pasurin në këtë rajon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



