Zvicra po përgatitet të përdorë mjetet e emergjencës për të përshpejtuar blerjen e Credit Suisse nga kompania gjigande UBS, para se tregjet të rihapen të hënën. Nën ligjin zviceran, UBS duhet t’i jepte aksionerëve të saj të paktën 6 javë kohë të konsultoheshin për blerjen që përfshin dy huadhënësit më të mëdhenj në Zvicër.
Dy njerëz të njohur me situatën thanë se UBS po shmang konsultimet dhe do të bëjë blerjen pa miratimin e aksionerëve. Detajet nuk janë publikuar ende. Rregullatori i Konkurrrencës në Zvicër, Finma nuk ka dhënë asnjë koment. Njësoj edhe Banka Qendrore e Zvicrës dhe UBS. Më herët, BQZ qe shprehur se një blerje e tillë mund të ndodhë për të parandaluar falimentimin total të Credit Suisse.
UBS, ka konfirmuar se edhe nëse blen Credit Suisse do të vazhdojë të reduktojë pjesën e saj të investimeve.
Kabineti zviceran pati një takim emergjent të shtunën mbrëma për të ardhmen e Credit Suisse.
Rregullatorët kryesorë të Credit Suisse në SHBA, Angli dhe Zvicër po shqyrtojnë strukturën ligjore të një marrëveshjeje dhe disa koncesione që UBS ka kërkuar. UBS dëshiron të lejohet të plotësojë çdo kërkesë me të cilën do të përballet sipas rregullave globale për kapitalin për bankat më të mëdha në botë. Për më tepër, UBS ka kërkuar një formë zhdëmtimi ose marrëveshje qeveritare për të mbuluar kostot e ardhshme ligjore, tha një nga njerëzit. Credit Suisse la mënjanë 1.2 miliardë franga zvicerane në dispozitat ligjore në 2022 dhe paralajmëroi se paditë dhe hetimet rregullatore ende të pazgjidhura mund të shtojnë një tjetër 1.2 mld shpenzime. Ekipi drejtues i UBS ka shqetësime për marrjen e bankës së investimeve të Credit Suisse, e cila ka qenë burimi i shumë prej skandaleve dhe humbjeve të saj në vitet e fundit.
Gjithsesi, nuk ka ende një garanci se marrëveshja do të kryhet.
UBS ka qenë në gatishmëri të lartë për një thirrje shpëtimi urgjente nga qeveria zvicerane pasi investitorët u bënë të kujdesshëm ndaj ristrukturimit më të fundit të Credit Suisse. Vitin e kaluar, shefi ekzekutiv Ulrich Körner njoftoi një plan për të shkurtuar 9,000 vende pune dhe për të ndarë pjesën më të madhe të bankës së saj të investimeve në një njësi të re të quajtur First Boston, e drejtuar nga ish-anëtari i bordit Michael Klein./FinancialTimes
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



