Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është rikthyer në dyert e drejtësisë, ku këtë herë ka dhënë shpjegime si person që ka dijeni mbi rrethanat e faktit.
Dako ka dëshmuar për më shumë se 3 orë në SPAK një ditë më parë, i akuzuar për një legalizim fiktiv, pasi ka ligjëruar katet e një pallati që nuk ekzistonte në Durrës.
Kallëzimi në Prokurorinë e Posaçme është bërë nga disa banorë të një pallati për miratimin e një leje ndërtimi, objekt i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
LEXO EDHE:
– ‘Bild’ plas përgjimet: Bosi i Shijakut Astrit Avdylaj në telefon me Vangjush Dakon
– DASH del me deklaratë për Vangjush Dakon: I përfshirë në korrupsion madhor
– Dosja “339”, Vangjush Dako dëshmon 5 orë te Krimet e Rënda
Kjo nuk është hera e parë që SPAK thërret dhe merr në pyetje ish-zyrtarin e lartë të PS në Durrës.
Më herët, Vangjush Dako ka qenë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK, që flet për organizim dhe blerje votash në qarkun e Durrësit.
Në dosjen me nr.339, ai del në përgjime, teksa flet me anëtarë të grupit kriminal Avdylaj në Shijak për blerjen e votave.
Në maj 2019, Dako u pyet për 5 orë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lidhjen e tij me grupin e Avdylajve të Shijakut, si dhe për shit-blerjen e votave në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Emri i tij u shpall “non grata” nga Departamenti i Shtetit, bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-deputetin Tom Doshi dhe ish-kryeprokurorin Adriatik Lalla.
Në dokumentin e Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhej se “ka informacion të besueshëm, se zoti Dako ka qenë i përfshirë në korrupsion gjatë mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Durrësit”.
Edhe pas shpalljes familjarisht “non grata” nga SHBA-të nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje.
Pas 3 mandatesh si kryebashkiak i Durrësit, emri i Vangjush Dakos nuk u zgjodh nga Partia Socialist për të përfaqësuar Durrësin për një tjetër mandat.
Pas vendimit të SHBA-ve, kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje ish-kryebashkiakun e Durrësit:
“Vangjush Dako është edhe do të mbetet miku im. Nuk m’i përcakton Departamenti i Shtetit mua se kë kam mik dhe kë jo. Por, ama të jeni të sigurtë që me Vangjush Dakon, as më ka kërkuar dhe as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri i ftuar në emisionin “Opinion”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



