Nga Gazeta ‘SI’ – Viti 2023 ka nisur me rritje të kredive me probleme, përherë të parë pas dy vitesh. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar norma e kredive të këqija shkoi në 5.1% nga 5% që ishte në dhjetor 2022.
Gjithsesi, në raport vjetor kreditë me problemë janë më të ulëta. Në janar 2022 norma rezultonte 5.45%.
Disa herë gjatë 2022-shit, kreditë e këqija treguan tendenca rritëse, por nuk u materializuan deri në fillim të këtij viti.
Rritja e këtij treguesi lidhet drejtpërdrejt me normën e interesit dhe siç parashikoi BSH, ajo do të shtrenjtonte shlyerjet e kredive për qytetarët, të cilët përballë inflacionit të lartë, do të ishin në vështirësi.
Shtimi i lehtë i kredive me probleme pas disa rritjesh së normës së interesit tregojnë se konsumatorët dhe vetë bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të stabilizuar.
Sipas BSH, që nga korriku i vitit 2007, vlera e më e lartë e normës së kredive me probleme është shënuar gjatë shtatorit të vitit 2014, në 25% të kredive bruto. Kjo rritje e lartë erdhi si rezultat i pasojave të vonuara që prekën ekonominë e vendit tonë për shkak të krizës financiare globale të 2007 dhe 2008.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.