Biznes

Parku më i madh fotovoltaik privat do të ndërtohet në Fier. Fondi amerikan financon 75% të saj

Fondi amerikan Green for Growth Fund (GGF), i ka ofruar Shqipërisë 28 mln euro për ndërtimin e një centrali solar në Fier, Blue 1. Fieri është qarku me më shumë projekte fotovoltaike në të gjithë vendin.

Blue 1 do të jetë në zonën e Topojës, me kapacitet prodhues 50 megavat. GGF do të financojë atje 75% të kostos totale.

Asistenca Teknike e GGF ofroi mbështetje në rritjen e ndikimit të gjeneruar nga investimi duke siguruar që projekti të zhvillohet në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare nga perspektiva mjedisore, sociale dhe teknike, thuhet në njoftim.

Projekti Blue 1 do të reduktojë emetimet e karbonit me 1.900 ton në vit

Projekti bashkon një sërë njohurish dhe burimesh institucionale dhe ka potencial të rëndësishëm për të krijuar një ndikim afatgjatë për Shqipërinë, duke pasur parasysh burimet e bollshme diellore të vendit, të cilat kanë mbetur kryesisht të pashfrytëzuara, theksoi GGF. Sipas fondit, duke diversifikuar përzierjen e energjisë dhe duke reduktuar varësinë nga hidrocentralet, do të rrisë stabilitetin dhe elasticitetin e sistemit energjetik, duke siguruar një burim më të sigurt të energjisë elektrike.

Blur 1 do të kontribuojë në diversifikimin e energjisë dhe reduktimit të mbështetjes së Shqipërisë vetëm në energjinë hidrike.

GGF tha se nisma parashikohet të kontribuojë ndjeshëm në përpjekjet e Shqipërisë për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit me 11.5% deri në vitin 2030 nga nivelet e 2016-ës. Parashikimet tregojnë se projekti do të rezultojë në një reduktim prej rreth 1.900 ton emetimeve të CO2 dhe do të gjenerojë më shumë se 108 Gwh në vit.

Përfitimet mjedisore të pritshme të këtij projekti përputhen me misionin e GGF për të promovuar energjinë e rinovueshme dhe për të nxitur zbutjen e ndryshimeve klimatike, sipas deklaratës.

“Investimi i GGF në këtë projekt diellor në Shqipëri është një dëshmi e angazhimit tonë për të përshpejtuar kalimin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, një domosdoshmëri për reduktimin e varësisë nga karburantet fosile dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Duke investuar në këtë projekt, ne kërkojmë të demonstrojmë qëndrueshmërinë e projekteve të energjisë së gjelbër dhe të frymëzojmë investitorët e tjerë që të ndjekin shembullin,” – pohoi Kryetari i GGF, Christopher Knowles.

Është një shembull i shkëlqyer se si bashkëpunimi dhe shkëmbimi i njohurive teknike mund të krijojnë një ndikim të qëndrueshëm, shtoi Kryetari i Facilitetit të Asistencës Teknike të GGF, Klaus-Peter Pischke.

“Ne jemi të kënaqur që kemi mundësinë të luajmë një rol në rritjen e sigurisë energjetike në Shqipëri”, tha ai.

GGF investon në masat e krijuara për të ulur përdorimin e energjisë dhe emetimet e CO2, dhe për të përmirësuar efikasitetin e burimeve në 19 tregje: në Europën Juglindore, Kaukaz, Ukrainë, Moldavi, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Fondi siguron financim direkt për projektet e energjisë së rinovueshme, korporatat dhe bashkitë ose në mënyrë indirekte nëpërmjet institucioneve të përzgjedhura financiare. Lehtësia e Asistencës Teknike e GGF maksimizon ndikimin e investimit të fondit përmes mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve në institucionet financiare dhe partnerët vendas.

Ky do të jetë centrali i parë kaq i madh privat në Shqipëri pa asnjë ndihmë qeveritare. Projekti është ideuar dhe do të zhvillohet nga dy shoqëritë shqiptare Blessed Investment dhe Matrix Konstruksion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë