Brukseli ka nisur një betejë të madhe ideologjike mbi ndërhyrjet e mëdha shtetërore në ekonominë e Europës, teksa finalizon propozimet për të ulur emetimet e karbonit dhe për të përmbushur ambiciet e SHBA-së për ekonominë e gjelbër.
Komisioni Europian këtë javë do të publikojë propozimet e shumë pritura që synojnë nxitjen e industrisë së gjelbërt dhe shpërndarjes së materialeve brenda rajonit, themeli i përgjigjes kundër SHBA-së dhe Kinës. Javën e shkuar, Brukseli parashtroi reformat që do të përshtaste subvencionet e saj me ato në SHBA.
Por draftpropozimi ka nxitur një debat të fortë në Bruksel, ku anëtarët liberalë të BE-së kundërshtojnë kufizimin e tregtisë së lirë dhe ekonomisë së hapur. Ndër pikat kyçe të ngërçit janë përfshirja e objektivave të prodhimit të gjelbër, barrierat e mundshme për importet e lëndëve të para dhe shkalla në të cilën kufizimet në subvencionet publike duhet të lehtësohen.
“Balanca është vënë në diskutim- ne po flasim vetëm për sovranitet”, – tha një diplomat i BE. “Duke bërë këto gjëra ne do të ristrukturojmë plotësisht ekonominë europiane në një mënyrë për të cilën nuk jemi të sigurt se do të na çojë në të vërtetë atje ku duhet të jemi pas 10 ose 20 vjetësh.”
Pjesa më e nxehtë e debatit ka qenë ajo për propozimet e emetimeve zero të industrive, një përgjigje direkte e Aktit të reduktimit të inflacionit që njoftoi SHBA. Ligji amerikan ofron 369 mld dollarë për teknologjitë e energjisë së pastër, një incentivë e madhe që i ka lënë zyrtarët e BE-së të frikësohen nga një eksod i kompanive përtej Atlantikut.
Sipas drafteve të rrjedhura nga BE, prodhimi vendas nga- dielli, era, bateria dhe elektrolizuesit – do të duhej të plotësonte të paktën 40% të kërkesave totale të bllokut. Objektivat më të larta të vendosura janë për sektorët e erës, me 85%.
Por objektivat specifike të industrisë janë hequr në mënyrë të përsëritur dhe janë rikthyer në draftet e legjislacionit ndërsa negociatat mbi propozimin përfundimtar vazhdojnë këtë javë.
Sipas një zyrtari të BE-së, një kamp pro konkurrencës në treg, ka bërë presion për një listë më të hapur të teknologjive që do të konsideroheshin si industritë “neto strategjike zero”, ndërsa Thierry Breton, komisioneri për tregun e brendshëm, donte një grup sektorësh më të vogël.
Zyrtarët po debatojnë gjithashtu rregullat që kërkojnë që kompanitë që eksportojnë minerale në BE të përmbushin kriteret, të tilla si standardet mjedisore dhe të drejtat e punës, të cilat potencialisht do të krijonin pengesa të mëdha për importet nga disa vende në zhvillim.
Një diplomat nga një vend në zhvillim tha se BE-ja po avanconte “me një ritëm të shpejtë një sërë kërkesash” që po e bënin “shumë të kushtueshme” tregtinë me bllokun.
BE-ja është zhytur tashmë në një diskutim të ashpër mbi atë se sa larg duhet të lehtësohen kufizimet për ndihmën shtetërore, pasi blloku kërkon të konkurrojë me subvencionet që po shpërndan SHBA-ja dhe Kina.
Valdis Dombrovskis, komisioneri i tregtisë, paralajmëroi gazetarët të enjten për “rreziqet e hyrjes në një garë të kushtueshme dhe joefikase të subvencioneve”.
Shtetet anëtare, duke përfshirë Holandën, Suedinë, Danimarkën dhe Irlandën janë ndër ato që theksojnë rëndësinë e mbajtjes së kushteve të barabarta brenda tregut të vetëm, në vend që t’u mundësojnë ekonomive më të mëdha të derdhin sasi të mëdha të subvencioneve publike në industri.
Simon Coveney, ministri i ndërmarrjeve i Irlandës, tha se BE duhet të jetë “i kujdesshëm që të mos shkojmë shumë larg” në lehtësimin e rregullave të subvencioneve. Ai gjithashtu paralajmëroi kundër “politikave proteksioniste”.
“Një ekonomi e vogël e hapur si kjo e jona do të humbasë,” tha për FT Mariin Ratnik, kryediplomati tregtar i Estonisë.
Një diplomat i BE-së tha se Franca në veçanti po nxit mundësinë për të formësuar politikën industriale të Evropës, të cilën Parisi e ka parë prej kohësh si shumë liberale. “Ne po ndërtojmë konkurrencën evropiane me subvencione. Tregjet e lira dhe tregtia e hapur nuk janë më në tryezë”, tha diplomati.
Raphaël Glucksmann, një eurodeputet socialist francez që kryeson komitetin e ndërhyrjes së jashtme të Parlamentit Evropian, tha se shtytja e Evropës për energji të lirë diellore ishte një shembull i mirë se si politika e tregtisë së lirë të BE-së kishte çuar në varësi të mëdha nga shtetet e tjera.
“Tridhjetë vjet ideologji kanë çuar në varësi, që është paradoksi i madh i kohës sonë. Tridhjetë vjet derregullim dhe politika e tregtisë së lirë kanë çuar në triumfin e Partisë Komuniste Kineze”, tha ai. “Ky është pakti Faustian mes ideologëve pro tregut dhe komunizmit. Kjo është shumë ironike, por ky është rezultati në të cilin jemi tani.”/Financial Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



