Gazeta Si – Policia e Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion për autorët e masakrës së “Don Boskos”, ku u vra një grua dhe u plagosën 5 të tjerë.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se kërkon ndihmën e qytetarëve, psi është i rëndësishme çdo informacion që do të çojë në identifikimin e autorëve.
Me këtë rast, policia vë në dispozicion edhe numrin e telefonit 069 41 11 546 për të kontaktuar.
Sa i takon dinamikës së ngjarjes, policia thekson se makina e autorëve ka qenë e vjedhur dy vjet më parë në Durrës.
Ndërsa para 5 ditësh, oficerët e policisë kanë qenë në shtëpinë e Fatjon Muratit, ku kanë konfirmuar praninë e tij në masën e “arrestit shtëpiak”.
Dinamika e ngjarjes
Sa i përket dinamikës së krimit, Policia e Tiranës sqaron se autorët janë afruar me automjetin tip BMË, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”.
Kanë ndaluar makinën përbri lokalit të Fatjon Muratit dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit.
Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë-Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj. Kjo makinë u gjet mëngjesin e kësaj të hëne, ndërsa brenda saj u konstatuan 3 kallashnikovë.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka këqyrur përsëri vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar edhe disa prova të tjera të vlefshme për hetimin.
Automjeti i përdorur nga atentatorët, tip BMË seria 5 (525) me ngjyrë gri, ishte vjedhur gjatë natës një dy vjet më parë në lagjen Nr.13 në Durrës, konkretisht më datë 14 mars 2021.
Nga atentati në lokal u vranë banakierja Mimoza Paja 58 vjeçe dhe u plagosën Shehat Murati 50 vjeç, (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli 55 vjeç.
Fatjon Murati
Lokali ku ndodhi ngjarja është në pronësi të Fatjon Muratit, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal dhe po hetohej me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Aktualisht rezulton që Fatjon Murati të jetë arratisur dhe të ketë thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Më datë 7 Mars 2023, shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 3, kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë Fatjon Muratin, ndërsa ditën e djeshme kur dhe ndodhi atentati, gjatë kontrollit ai nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim.
Të gjitha provat materiale të sekuestruara në vendngjarje në rrugën “Anastas Shundi” dhe në fshatin Likmetaj, janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore ku po u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.