Politike

Yuri Kim zbardh takimet me partitë: Në fokus pastërtia e kandidatëve dhe ndëshkimi për blerjen e votës

Gazeta Si – Një ditë para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë për regjistrimin e tre partive të mëdha, ambasadorja amerikane Yuri Kim takoi tre zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë.

Ambasada amerikane ka zbardhur ndërkohë natyrën e takimeve që pati me Gjiknurin nga PS, Alibeajn nga PD dhe Metën nga PL-ja. “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet vendore të 14 majit, ambasadorja Kim u takua sot me drejtues të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë për të nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të aktiviteteve në mënyrë të ndershme, transparente dhe të rregullt, në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Kim gjate takimit me Meten. Gazeta Si, 8 mars 2023

Ajo u kujtoi atyre vëzhgimet dhe rekomandimet e raporteve të mëparshme e ODIHR-it”, – thuhet në njoftimin e ambasadës. Kim shprehet se “drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me votuesit, autoritetet, partitë, shoqërinë civile, median dhe të tjerë në mbështetje të një procesi zgjedhor që pasqyron statusin e Shqipërisë si aleate në NATO dhe aspirante për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”, – shprehet Kim.

Reagimin e saj Kim e shoqëron me 5 rekomandimet e fundit të ODIHR mbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Ruajtja e të dhënave personale, hetimet penale për blerjen e votës, presioni e ndryshme për mënyrën e zbuimit të votimit dhe përmirësimi i legjislacionit për mediat janë disa nga rekomandimet e ndërkombëtarëve.

REKOMANDIMET E ODIHR
• Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet.

• Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.

• Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor.

• Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë