Pas verës më të nxehtë dhe të vështirë që shteti i Suedisë kaloi këtë vit, 15-vjeçarja Greta Thunberg vendosi të hyjë në grevë duke u ulur afër parlamentit që politikanët ta shihnin dhe të vepronin. Pse shqetësohen për mësimet në shkollë nëse politikanët, nuk u kushtojnë rëndësi fakteve që po na marrin jetën për të përmbushur interesat e tyre?
Ky është realizimi i thjeshtë i 15-vjeçares për të protestuar në mënyrën më efektive që dinte. Ajo refuzoi të shkojë në shkollë derisa zgjedhjet e përgjithshme të Suedisë më 9 shtator t’i kushtojnë vëmendjen dryshimeve klimaterike dhe përmirësimit të klimës.
Protesta e Thunberg u nxit nga zjarret që përshkuan qytetin e saj në verën e kaluar. Dy javë, Thunberg ka qëndruar e ulur pranë parlamentit në qytetin e Stokholmit duke shpërndarë fletëpalosje që shkruanin:
”Po e bëj këtë, sepse të rriturit duhet të mendojnë për të ardhmen time”
“Po e bëj këtë, sepse askush tjetër nuk po bën asgjë”
“Është përgjegjësia ime morale që të bëj çka që mundem. Unë dua që politikanët t’i japin prioritet çështjes së ndryshimeve klimaterike, të përqendrohen të klima,” thotë Thunberg
Kur njerëzit i thonë se duhet të shkojë në shkollë, ajo u thotë se i ka librat në çantën e saj.
“Unë kam librat e mi këtu, por gjithë kohës mendoj se nuk humb asgjë nëse nuk shkoj në shkollë. Çfarë do të mësoj në shkollë? Nëse shkencëtarët, thonë se botës po i vjen fundi, atëherë pse duhet të shkoj në shkollë dhe të mësoj?,” shton 15-vjeçarja.
Këtë vit Suedia vendosi një ligj të rreptë për sa i përket përmirësimit të klimës, duke synuar që vendi të bëhej neutral ndaj karbonit deri në vitin 2045, por Thunberg thotë se kjo është një kohë e gjatë dhe vendi nuk duhet’i humbasë hapësirat e gjelbra për interesat e politikanëve.
Benjamin Wanger ishte mësuesi i vetëm që iu bashkëngjit protestës së saj, por që në momentet e para të grevës së tij, organet shtetërore e lajmëruan se do të humbiste rrogën e një muaji nëse vazhdonte të merrej me fantazitë e një 15-vjeçareje.
“Paaftësia jonë për të përmirësuar klimën është e njëjtë me përpjekjet që u kryen për të ndaluar luftën. Ne e dinim për vite që do të kishim luftë, edhe pse u organizuan shumë konferenca, nuk e ndaluan kurrë ,” thotë Wagner.
“Ndoshta Greta është një shqetësim për politikanët dhe nuk i dëgjon prindërit e saj, por askush nuk mund ta ndryshojë faktin që ka të drejtë dhe bota dita-ditës do të kthehet në një katastrofë të madhe,” shtoi ai
Jashtë parlamentit, Stella d’Ailly, 45 vjeç, drejtoreshë e shkollës së artit, është bashkuar me protestën e Thunbergut.
“Ndjehem sikur do të vdes nëse nuk protestoj. Suedia mund të jetë e organizuar për të ricikluar plehrat, por politikanët tanë nuk po bëjnë ende asgjë për të ulur sasinë e shisheve plastike dhe paketimit. Kemi nevojë për ndryshime drastike,” thotë ajo.
Protesta Thunbergut shkaktoi trazira edhe në familjen e saj. Nëna e saj, këngëtare e mirënjohur e operës Malena Ernman, ka hequr dorë nga karriera, për shkak të protestave të vazhdueshme të vajzës së saj.
“Greta na detyroi të ndryshonim jetën tonë,” thotë babai saj Svante. “Ne nuk kishim asnjë ide për ndryshimet klimaterike, deri në momentin që lexuam të gjithë librat që kishte lexuar vajza jonë,” shton ai.
Mësuesit gjatë gjithë kohës i thoshin se duhet të bënte një udhëtim për t’u qetësuar, por sipas 15-vjeçares ky ishte thjesht një justifikim për anashkaluar të vërtetën.
“Të gjithë besojnë se mund t’i zgjidhim problemet pa përpjekje, pa sakrifikim,” shkruan ajo në një artikull në rrjetet sociale.
Babai i saj tha se Greta ishte diagnostikuar me sindromën e Aspergerit në vitin e kaluar, por ajo nuk e sheh gjendjen e saj si një paaftësi. Për të është një dhuratë që e ka ndihmuar të kuptojë se duhet të bëhen ndryshime në politikat e vendit të saj.
“Gjëja më e mirë në protestën time ka qenë se njerëzit po përfshihen gjithnjë e më shumë,” thotë Thunberg. “Nuk më intereson nëse has probleme në shkollë. Unë besoj se një person mund të bëj ndryshim të madh”, shton ajo. /The Guardian/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.