Gazeta Si - Është shtyrë për të disatën herë seanca e përballjes së mes Luftar Reçit, bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të dyshuarve në procesin për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt në 27 dhe 28 shkurt të 2005.
Prokuroria ka kërkuar marrjen e dëshmisë përmes lidhjes “Skype”, ndërsa GjKKO e ka refuzuar, duke kërkuar shoqërim të detyrueshëm.
Prokurorja në sallë tha se transportimi i Reçit nga burgu i Drenovës paraqet rrezik për të. Vetë Reçi përmes një letre nga burgu, i kërkonte gjykatës të dëshmonte përmes SKYPE në pamundësi për të mbërritur në seancë për shkak të problemeve shëndetësore.
LEXO EDHE
- Dëshmia ekskluzive: Emiljano Shullazi mori tritolin e vrasjes së Vajdin Lamajt nga Lul Berisha
- Vrasja e Saliut dhe Lames, avokatët e 6 të pandehurve rrëzojnë alibinë e Luftar Reçit: Ka ç’rregullime
“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq. Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë. Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve“, thuhej në deklaratën e Reçit.
Situata ngjalli reagime të avokatëve dhe të pandehurve. Avokati i Viktor Ymerit theskoi se Reçi ka vite që thekson se nuk ndihet mirë, por kjo nuk është shkak që ai të mos marrë pjesë në një proces kaq të rëndësishëm.
Avokati i Plarent Dervishajt Ilia Ilia, u shpreh se mbi dëshmitë e tij janë ngritur akuzat dhe ai nuk ndodhet këtu. Sipas tij, Reçi nuk mban mend sa ka gënjyer dhe se ka frikë të dëshmojë pasi mund të mos thotë të njëjtën gjë.
I ashpër në qëndrimin e tij ishte edhe i pandehuri Emiljano Shullazi, pasi ai kërkoi që të ishte përballë bashkëpuntorit të drejtësisë për të sqaruar akuzat në drejtim të tij.
Pas një sërë debatesh, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të rrëzonte kërkesën e SPAK dhe të bashkëpuntorit të drejtësisë dhe të urdhëronte shoqërimin e detyruar të tij në Gjykatë.
Luftar Reçi do të paraqitet në Gjykatë më 20 mars në orën 9:30. Po ashtu janë thirrur edhe 10 dëshmitarë.
Në dosjen e SPAK, Reçi prezantohet si i "penduari" i grupit, që ka pranuar me dëshirë të plotë të rrëfejë ngjarjet e 26 dhe 27 shkurtit të vitit 2005, ku sipas tij, ai bashkë me Plaurent Dervishajn, Lulzim Berishën, Viktor Ymerin, Indrit Taullain dhe Emiljano Shullazin, kanë realizuar atentatet ndaj biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.