Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e Prokurimit Publik në vend, APP, ka publikuar udhërrëfyesin dhe metodologjinë e prokurimit të gjelbër: prokurime me ndikim të ulët në mjedis dhe me eficiencë, në përputhje me standardet europiane.
Sipas dokumentit, Prokurimi Publik i Gjelbër, PPGJ, synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen mjedisore. Eficiencë energjetike, përdorimi efikas i fondeve publike, ‒ zhvillimin, prodhimin dhe përdorimin e teknologjive të gjelbra dhe mbështetjen e zhvillimit të tregut për alternativa të gjelbra të mallrave, shërbimeve dhe punimeve.
Autoritetet/entet kontraktore zbatojnë PPGJ kur ato vendosin që prokurimi do të jetë i gjelbër. Por për këtë proces janë tetë kritere që duhen zbatuar dhe garantojnë mbarëvajtjen e prokurimit të gjelbër. Fillimisht kontrakorët e PPGJ-ve duhet të bëjnë një studim tregu lidhur me hapësirën, kostot etj të shërbimit apo mallit që ata do të prokurojnë. Ato duhet të detajojnë në kontratë objektin, kriteret e gjelbëra, elementët teknikë etj.
Një tjetër kriter është etiketa që përmban të gjitha detajet nga dy pikat e mëparshme.
Kriteret për një prokurim publik të gjelbër;
Studimi paraprak i tregut
Autoritetet/entet kontraktore duhet të studiojnë paraprakisht tregun, me qëllim përcaktimin e disponueshmërisë, kostove, ndërlikimeve praktike të alternativave me ndikim më të ulët në mjedis, si dhe identifikimin e furnizuesve të mundshëm.
Përcaktimi i objektit të kontratës
Autoritetet/entet kontraktore që zbatojnë PPGJ-në duhet të përcaktojnë objektin e kontratës duke iu referuar përshkrimit të mallit, shërbimit apo punimeve, përfshirë edhe kriteret më të rëndësishme të gjelbra.
Specifikimet teknike
Gjatë hartimit të specifikimeve teknike me qëllim zbatimin e PPGJ-ve, autoriteti/enti kontraktor përcakton dhe zbaton specifikime teknike që përshkruajnë tiparet dhe kriteret e gjelbra duke iu referuar sistemeve, standardeve dhe karakteristikave teknike: performanca mjedisore, nivel shkarkimesh, temperatura min/max etj.
Etiketat
Autoritetet /entet kontraktore mund të kërkojnë etiketa të veçanta si mënyrë verifikimi/certifikimi përputhshmërie nga ana e operatorëve ekonomikë me karakteristikat sipas objektit, në përputhje me kushtet e përcaktuara në ligj lidhur me përdorimin e tyre në prokurimin publik. Standardet ndërkombëtare ISO përcaktojnë parimet dhe procedurat për hartimin e certifikimit mjedisor dhe programet e etiketimit për etiketat e llojit I, përfshirë përzgjedhjen e kategorive të mallrave, kërkesat mjedisore dhe kriteret funksionale të këtyre mallrave.
Autoritetet/Entet kontraktore mund të përdorin në procedurat e tyre PPGJ çdo etiketë të njohur në Shqipëri ose në Vendet Anëtare të BE-së (parimi i njohjes së ndërsjellë).
Kriteret e kualifikimit për kandidatët: përzgjedhja dhe përjashtimi i kandidatëve
Procesi i përzgjedhjes të kandidatëve që përfshin elementet përkatëse për PPGJ-në përfshin, por nuk kufizohet në: kualifikimet profesionale të stafit të përfshirë në zbatimin e kontratës, veçanërisht klauzolat e lidhura me mjedisin, kapacitetin për të ngritur sisteme të menaxhimit mjedisor, masa të përshtatshme për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, ose sistemet e gjurmimit, përvojën me kontratat e shkuara, përfshirë klauzolat e kërkesave të gjelbra.
Hartimi i kritereve mjedisore për lidhjen e kontratës
Gjatë hartimit të kritereve mjedisore për lidhjen e kontratës, autoritetet kontraktore duhet të sigurohen që këto kritere: të lidhen me objektin e kontratës; të mos i ofrojnë autoritetit/entit kontraktor liri të pakufizuar zgjedhjeje; të jenë në përputhje me parimet e përgjithshme të prokurimit publik, veçanërisht ato për konkurrencën e efektshme dhe transparencën.
Kostimi i ciklit të jetës (KCJ)
Metodologjitë KCJ mund të përfshijnë, por nuk kufizohen në: Çmimin e blerjes dhe të gjitha kostot përkatëse, si dorëzimi, instalimi, sigurimet, ofertat e riblerjes; Kostot e përdorimit, përfshirë energjinë, karburantin, ujin e përdorur, materialet e konsumueshme si bojë apo letër; Mirëmbajtjen, pjesët e këmbimit, riparimet, kostot e zgjatjes së jetës së produktit (përmirësimin, zëvendësimin, riparueshmërinë), garancitë (e zgjatura); Kostot e fundit të jetës, si transporti, eliminimi/depozitimi, fshirja e të dhënave, riprodhimi dhe trajtimi i certifikuar dhe riciklimi apo asgjësimi; Kostot që lidhen me elementet e jashtme mjedisore: Shkarkimet e GS-ve (p.sh. shkarkimet e CO2, shkarkimet e NOx, grimcave lëndore, shkarkime që ndotin tokën ose ujin).
Kushtet/klauzolat e zbatimit të kontratës
Kushtet e zbatimit të kontratës mund të përfshijnë, ndër të tjera, faktorë mjedisorë. Autoritetet/entet kontraktore përfshijnë në fazën e zbatimit të kontratës konsiderata mjedisore që lidhen me objektin e kontratës dhe që bëhen publike paraprakisht. Kushtet e veçanta mjedisore duhet të bëhen publike paraprakisht në dokumentat e tenderit me qëllim sigurimin e transparencës dhe informacionit të përshtatshëm, dhe që operatorët ekonomikë të përfshijnë këto detyrime në përllogaritjen e ofertës së tyre ekonomike. Në çdo rast, autoritetet/entet kontraktore nuk mund të përdorin klauzolat e kontratës për futjen e kërkesave mjedisore që do të rezultonin në modifikim thelbësor të një kontrate të përzgjedhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



