Dosje

Kronikë e tre vrasjeve të paralajmëruara / Si Dan Hutra kërcënoi me vdekje ish-gruan dhe familjen e saj: Jeni në gjak me mua… Fëmija s’është i imi!

Gazeta Si - Problemet me ligjin për Dan Hutrën, autorin e dyshuar të vrasjes së 3 grave këtë të mërkurë në Tiranë (u arrestua në mbrëmje 7 orë pas krimeve), e kanë zanafillën që në vitin 2007.

Por duket se krimet e sotme, 40-vjeçari i ka paralajmëruar rreth një vit më parë, ku ka kërcënuar familjarët e bashkëshortes Elena Hysa pas kallëzimit të tyre për “dhunë në familje".

Në dosjen hetimore të siguruar nga Gazetasi.al, i dyshuari, kishte arritur deri aty sa ta trajtonte partneren e tij si "skllave" në shtëpi.

Në fakt, Hutra ishte dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e bashkëshortes Dafina Havalja para 16 vjetësh, por pasi kreu këtë dënim, gjatë të cilit tentoi një herë që të arratiset nga qelitë e Drenovës, u lirua një vit më parë.

Edhe pse ra sërish në pranga për dhunë ndaj gruas së dytë me të cilën kishte një vajzë 4 muajshe, 40-vjeçari u lirua nga burgu, pas ish-gruaja tërhoqi kallëzimin ndaj tij.

Kallëzimi

Historia që çoi në vrasjen e dyfishtë në Paskuqan, nisi në qershor 2022, ku ish-bashkëjetuesja, Elena Hysa, bëri padi në polici për partnerin e saj.

Ajo paditi në polici Dan Hutrën, me pretendimin se në mënyrë të vazhdueshme sipas saj e kishte dhunuar, madje e kishte kthyer atë në një shërbyese, nga e cila kërkonte çdo gjë, gati edhe larjen e këmbëve.

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës që ka siguruar Gazetasi.al, me gjyqtar Arten Gjermenin, thuhet se Elena Hysa ka njoftuar fillimisht policinë për praninë e Danit në banesën e saj.

Përveç tyre, në shtëpi kanë qenë edhe prindërit e gruas dhe të gjithë bashkë u paraqitën në polici për të bërë kallëzimin.

Dyshimi për fëmijën

Në fakt duhet të kishte qenë dita më e lumtur e saj, momenti kur mjekët i dhanë përgjigjen se ishte shtatzënë dhe se do të bëhej nënë.

Në fillim, i fejuari i saj u tregua entuziast. Por të nesërmen, për të nisi terrori. Ai filloi me dyshimet dhe dhunën, duke e akuzuar se fëmija nuk ishte i tij, e çoi tek prindërit e saj dhe pasi piu kafe tha: “Vajzën ua kam lënë. Më keni gjak borxh, do shkojë gjaku deri në gju. Më keni borxh të gjitha shpenzimet”.

Hutra përfundoi sërish në qeli, pasi më herët kishte vuaajtur 16 vjet burg për vrasjen e ish-bashkëshortes për një ngjarje të ndodhur në 2007.

Denoncimet ndaj tij ishin familjarisht, nga i ati, nëna, dhe vajza. Të frikësuar dhe pasi nuk po gjenin më para që t’i lanin borxhin, teksa ish-dhëndri trokiste për paratë, ata shkuan në polici.

Dëshmitë e familjes së terrorizuar ishin aq bindëse për policinë, sa nuk priti gjatë, por menjëherë i hodhi prangat Dan Hutrës.

E trajtuar si "skllave"

Elena Hysa, e cila mbeti e plagosur me thikë sot bashkë me nënën dhe të cilës iu vra me armë motra dhe kunata e saj, kishte deklaruar në polici para rreth një viti.

“I fejuari gjatë bashkëjetesës më ka trajtuar si skllave, kërkonte që unë t’i hiqja e t'i vishja çorapet, mëngjesin, kafen, drekën e kërkonte t’ja çoja tek krevati. S’më ka lejuar në asnjë moment të qëndroj vetëm, por linte si roje të ëmën, e cila kishte frikë  prej tij”, - ishte shprehur 35-vjeçarja.

Pas shqetësimeve shëndetësore, ajo kishte komunikuar me vjehrrën, thotë policia për Gazetasi.al. E moshuara, pasi mori leje, u nis për në spital, ku në farmaci i dhanë një test shtatzënie.

Gëzimi dhe kërcënimi!

“Dola pozitive dhe njoftova të fejuarin. E priti shumë mirë dhe organizoi drekë familjare, ku ishin të ftuara të dyja familjet tona. Pas kësaj, bëmë eko barku dhe disa analiza. Të nesërmen Dani kishte komunikuar me spitalin, por mua s’më tha gjë”, - është shprehur për policinë vajza e re.

Burimet e policisë bëjnë me dije se fjalia e parë të nesërmen ishte: “Më ke hyrë në gjak”. Hutra, vajzën e ka mbyllur në shtëpi dhe kur familja tentonte të komunikonte në telefon, ai iu përgjigjej se ishte e sëmurë. 

Duke i ndërprerë çdo komunikim dhe kur ajo i është lutur që të mësojë se çfarë kishte ndodhur, ai e ka goditur me grushte në fytyrë dhe kokë.

Ndërkohë që vjehrra nuk ka dhënë asnjë shpjegim. E ndodhur në këto kushte, e reja ka kapërcyer murin dhe është arratisur, duke u kthyer tek prindërit, ku dhe u ka treguar se çfarë i kishte ndodhur.

Paralajmërimi

Një orë më vonë, në shtëpinë e krushqve ka mbërritur dhëndri. Fillimisht e ka pyetur Elenën nëse i kishte menduar gjërat mirë?

Më pas, i ka deklaruar kryefamiljarit:  “Unë dua kokë njeriu, do ta çoj gjakun në gju, pasi vajza juaj më ka ikur nga shtëpia”.

Prindërit e të resë, sipas policisë, kanë kërkuar shpjegime se çfarë kishte ndodhur dhe në këtë çast, i dyshuari ka shpërthyer, duke pretenduar se fëmija nuk ishte i tij.

“Pasi u qetësua, kërkoi t’i bënim një kafe. Pasi motra ia bëri kafenë, ai hoqi unazën dhe la një katrmonedhë 10 mijë lekëshe në tavolinë dhe tha: ‘Gocën ua kam lënë’. Kur u nis për të ikur, më tha se kërkonte kthimin mbrapsht të të gjitha shpenzimeve, gati 4 mijë euro. I thashë që nuk kishim kaq para, por ai kërkoi t’i gjenim borxh”, - kujton në polici nëna e 35-vjeçares.

Bisedat e dhëndrit me vjehrrën kanë vazhduar më tej në telefon, ku ai kërkonte vazhdimisht paratë, duke e kërcënuar se nëse nuk i plotësonin, “do ta bënte shtëpinë me gjak”.

"Nuk e mbaj kopilin tuaj"

Si fillim, familja e të resë ka siguruar vetëm 1.850 euro. Të tjera nuk u jepte askush, as në formën e borxhit dhe as ndryshe.

“Nëse nuk më jepni paratë, do bëj të flasin mediat botërore, nuk e mbaj unë kopilin tuaj”, - tha në një nga rastet kërcënuese, shton kryefamiljari, të cilit i erdhi sërish për vizitë ish-dhëndri, duke e kanosur dhe duke pretenduar se e kishte me nxitim, pasi do largohej jashtë vendit.

“Policinë e telefonova unë, ish i fejuari ka qenë në burg për 13 vjet, pasi ka vrarë ish-bashkëshorten. Dhe ndihem kaq e frikësuar. Ai na kërcënon dhe pretendon që fëmija nuk është i tij. Asnjëherë s’më ka lënë vetëm, ose me të ëmën, ose më shoqëronte me një djalë që nuk e njihja. Ndihemi të terrorizuar”, - deklaroi më pas në polici e reja.

Policia e Kamzës, e arrestoi në flagrancë 40-vjeçarin nga Dibra. Ai ishte martuar me mblesëri dhe kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni.

Për vrasjen e kryer në vitin 2007, ai u shpreh i penduar në atë kohë, duke shtuar se nuk u përmbajt dot dhe se nuk e shpjegonte dot krimin e kryer prej tij, ndaj dhe gjykata e shpalli fajtor.

Ai qëndroi në qeli me një personazh të njohur të botës së krimit dhe mbetet e paqartë se përse nuk kreu 25 vite burgim, aq sa gjykata e kishte dënuar për vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë