Nga Gazeta Si – Ndërkohë që telefonat e autoshkollave në Tiranë nuk po pushojnë nga personat që kërkojnë informacione nëse do të rritet çmimi i patentave, apo kur do të rritet, janë vetë administratorët që nuk kanë një përgjigje, për asnjë nga pyetjet që u bëhen dhe kjo i ka sjellë prej ditësh në një situatë kaotike dhe stresuese.
Shumë nga administratorët e autoshkollave që Gazetasi.al takoi dhe kontaktoi nuk pranojnë të prononcohen me emër, sepse siç thonë ata, “kjo punë është kthyer në diçka me rrezik, duke parë edhe ato që po thuhen për autoshkollat”.
“Nuk di çfarë të them, nuk kemi asnjë informacion më shumë se ato që janë thënë në media. Kemi kërkuar informacione por kush të na i japë. Jemi edhe ne po aq të stresuar sa njerëzit, mos më shumë”, tregon një administrator autoshkolle i cili duket mjaft i acaruar, ndoshta dhe për shkak se prej ditësh i janë bërë të njëjtat pyetje dhe ai nuk ka asnjë përgjigje.
“Po na ikin edhe klientët kështu. Vijnë dhe pyesin dhe nuk dimë çfarë tu themi e sigurisht ikin diku tjetër. Nuk po i mbajmë dot as si klientë”, tha një tjetër administrator i një autoshkolle në Tiranë.
Të tjerë administratorë që Gazetasi.al takoi dhe kontaktoi janë në një linjë, të acaruar dhe pa informacione. Disa prej tyre edhe “gjejnë rastin” të shprehin gjithë pakënaqësitë që kanë në lidhje me rritjen e çmimit të patentave, disa edhe duke ngritur zërin, me vetëdije se nuk po bëjnë gjënë e duhur.
Një grua rreth të 50-ave, administratore e një autoshkolle në zonën e Don Bosko, Tiranë thotë për Gazetasi.al se është hera e parë që stresohet aq shumë në punën e saj prej 15 vitesh në atë autoshkollë.
“Njerëzit duan të dinë diçka më shumë se ato që lexojnë dhe sigurisht që do drejtohen tek autoshkollat por më kot, ne nuk dimë çfarë tu themi. Ç’vlerë ka të jesh autoshkollë kur nuk di se sa do kushtojë një kurs patente?”, thotë 50-vjecarja.
Por ka edhe autoshkolla që e kanë ‘zgjidhur’ problemin
Autoshkolla të ndryshme ku gazetarja e Gazetasi.al u prezantua si person i interesuar për të bërë një kurs patente thanë se sido të shkojë marrëveshja, nuk do e ndryshojnë çmimin.
“Nuk e di çfarë do bëhet me çmimin por sido të jetë, ne do vazhdojmë me çmimin që kemi pasur, 40 mijë lekë, ku 20 mijë i jep në momentin që regjistrohesh dhe 20 mijë në fund të kursit”, tha një grua në një autoshkollë në Rrugën Viktor Eftemiu, Tiranë.
Ajo shton se programi do e vazhdojë po njësoj, sepse sipas saj, është i mjaftueshëm edhe për kursantët fillestarë, nuk dinë të ngasin makinën.
“Ne kemi vite me këtë program dhe kemi ecur shumë mirë. Nuk e di se çfarë flitet për program të plotë apo gjëra të tjera, por ne do vazhdojmë si gjithmonë, me të njëjtin program, me të njëjtin çmim”, thotë ajo.
Të tjerë administratorë thanë për Gazetasi.al se presin se çfarë do ndodhë por mundësia më e madhe është që të vazhdojnë me të njëjtin çmim.
“Nuk mund të them me siguri se çfarë do bëjmë sepse as vetë nuk e di ku jemi por me shumë mundësi nuk do rrisim asnjë çmim. Është thënë se ne mund të bëjmë oferta dhe të vendosim çmimet që duam ne, kështu që do vazhdojmë me këtë çmim, rreth 40 mijë lekë”, tha një tjetër administrator.
Ndërkohë Blendi Gonxhja, drejtor i DPSHTRR shpesh herë ka thënë se marrëveshja thotë se autoshkollat mund të bëjnë oferta, të vendosin çmimet që shohin të arsyeshme por në fund “do të përgjigjen tek tatimet për çdo kursant”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.