Gazeta Si - Amar (Dritan) Shkëmbi, i arrestuar një ditë më parë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe është mbajtur për rreth 2 javë në vëzhgim nga autoritetet vendase.
Sipas burimeve paraprake, gjatë momentit të ndërhyrjes nga policia, 39-vjeçari, i cili dyshohet se është përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ka bërë rezistencë dhe ka qenë pa mjet identifikimi me vete.
Pas kësaj, ai është shoqëruar për verifikim dhe pas krahasimit të shenjave të gishtave me të dhënat që ka dërguar Policia e Shtetit atje që më herët, ka rezultuar se ishte shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal për atentatin në Shqipëri më 1 nëntor 2019.
Ekstradimi i tij drejt Tiranës mund të bëhet në vijim vetëm me një vendim të gjykatës në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas burimeve nga policia, ekziston një marrëveshje ekstradimi në bazë të disa konventave ndërkombëtare, të cilat mund të interpretohen nga gjykata atje për t’i dhënë dritën jeshile ardhjes së Shkëmbit në Shqipëri.
Amar (Dritan) Shkëmbi, ditën e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Pëllumb Muharremit, i njohur ndryshe edhe si Rumi, dyshohet se ka qenë në automjet.
Por me qëllim fshehjen e gjurmëve që do e implikonin në ngjarjen e nëntorit 2019, Shkëmbi kishte ndërhyrë edhe në sistemin TIMS.
Burime nga grupi hetimor, thanë se 39-vjeçari, sipas TIMS rezultonte të ishte jashtë vendit, ndërkohë që SPAK ka tashmë në duar prova që e përfshijnë atë në një rol kyç në atentat, që nga sigurimi i mjetit e deri në mbajtjen në vëzhgim të shënjestrave.
Më herët, SPAK ka bërë të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.
Në rolin e qitësit, SPAK thotë se ishte shtetasi Redjan Rraja, ADN e të cilit u gjet në sendet e sekuestruara në makinën e përdorur në atentat dhe të braktisur në Shkafanë të Ishmit, si dhe shtetasi tjetër Arjol Halilaj. Të dy janë të arrestuar dhe po gjykohen.
Hetimet nxorën në dritë se në organizimin dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen kanë marrë pjesë edhe 9 persona të tjerë, 6 prej të cilëve u arrestuan në 20 janar të këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.