Art dhe Kulture

Rikthehet pas 45 vitesh opereta ‘Karnavalet e Korçës’, Inva Mula vendos në skenë veprën e të atit

Nga Gazeta Si – “Karnavalet e Korçës”, opereta e artistit të ndjerë, Avni Mula rikthehet pas 45 vitesh në skenë.

Prej ditësh kanë nisur përgatitjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku në krye të punës është vetë e bija e artistit Mula, Inva Mula tashmë e rikthyer në TKOB si regjisore.

Opereta “Karnavalet e Korçës” që artisti Avni Mula krijoi në vitet ’77, bazuar në komedinë me të njëjtin titull të Spiro Çomorës dhe libret të Luigj Gurakuqit, do të shfaqet në datat 25, 26 dhe 27 shkurt.

Drejtoresha e TKOB, Abigeila Voshtina thotë se kjo vepër mishëron kulturën e aristokracisë shqiptare.

“Zgjodhëm ‘Karnavalet’ për të hapur sezonin artistik të Operës për vitin 2023, në Teatrin e Operës dhe Baletit, që të përcjellim bukur te publiku kulturën e aristokracisë shqiptare të asaj kohe. Me regji të Inva Mulës, e zgjedhur për mishërimin në skenë të notave të pentagramit të të atit, artistit të madh dhe ‘Nderit të Kombit’ Avni Mula, si dhe të kujtimeve të një familje, e cila vishet me një familje të Nikollaqit (personazh në Operetë)”, shprehet Voshtina për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “nëpërmjet kësaj vepre Inva Mula kujton se si i ati qëndiste mbi libretin e shkruar, humorin e hollë të korçarëve, edhe pse vetë nuk ishte me këtë origjinë”.

E vënë në skenë për herë të parë më 5 shkurt 1978, kjo operetë vjen 45 vite më vonë, në përkujtim të 95-vjetorit të lindjes së kompozitorit Avni Mula dhe libretistit Luigj Gurakuqi.

“Opereta ‘Karnavalet’ e zgjedhur për gjallërinë që përcjell kjo festë, linjën e bukur të dashurisë, ‘pazaret e krushqisë’ dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare, e ka zanafillën e saj në Korçë, aty ku janë lënë gjurmë të rëndësishme celuloidi të kulturës artistike dhe nga ku u frymëzua artisti i madh, Avni Mula”, thuhet në njoftimin e TKOB.

“Karnavalet e Korçës”, një vepër e repertorit kombëtar, që i ka rezistuar kohës, tingëllon e freskët dhe aktuale jo vetëm për nga tematika, por edhe nga rrjedhshmëria e melodive aq të dashura.

Opereta duket se do ta kthejë publikun pas në kohë në netët e acarta të Korçës, ku gërshetohet humori i hollë i personazheve dhe mënyra e të jetuarit elegante korçare, të cilat kanë lënë gjurmë në kujtesën e kulturës artistike të shoqërisë sonë.

Pjesë e kësaj vepre do të jetë Orkestra Simfonike e TKOB-së, bashkë me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, dirigjuar nga virtuozja, Elda Laro, Kori i TKOB-së, me dirigjent, Dritan Lumshin. Kostumografia e Elva Bellës do të krijojë atmosferën e familjeve borgjeze të viteve ’30, imazhet grafike të skenografisë e gjejnë inspirimin po në Korçë, te fotografi Gjon Mili.

Vepra do të vijë nën debutimin e solistëve profesionistë të TKOB-së, si Solen Alla, Shpresa Beka, Ivana Hoxha, Klodian Kaçani, Vikena Kamenica, Marina Kurti, Renisa Laçka, Armando Likaj, Nina Muho, Dorina Selimaj, Denis Skura, Ramona Tullumani, Artur Vera, Matias Xheli, Erlind Zeraliu dhe Kreshnik Zhabjaku.

“Nuk do të mungojë as fryma fëminore në këto ‘Karnavale’, që do të përfshijnë një diversitet grupmoshash, duke bërë pjesë të sajën edhe fëmijët nga Kori i Zërave të Bardhë”, bën me dije TKOB.

Ngjarja zhvillohet rreth viteve ’30 dhe pasqyron mentalitetin e një familjeje borgjeze, e cila dëshiron të blejë me para një dhëndër për vajzën e tyre të vetme. Dhe nga ana tjetër kemi ndjenjën e thellë të dashurisë ndërmjet Nastës dhe Lonit, e cila ndërthuret dhe vijon natyrshëm, gjatë veprës, që zhvillohet e gjitha në dy net dimri të qytetit të Korçës.

Komedia “Karnavalet e Korçës” e Spiro Comorës ka provuar sukses të madh edhe në historinë e Teatrit.

Karnavalet 

Më 23 maj të vitit 1964, me regjinë e Pandi Stillu, komedia u shfaq nga Teatri Kombëtar, duke shënuar një nga sukseset më të bujshme të këtij teatri. Shfaqja u dha plot 258 herë me rreth 89 mijë spektatorë, një nga frekuentimet më të mëdha shënuar në ato vite.

20 vjet më vonë, pas suksesit të vënies në skenë të Karnavaleve të Korçës, Kinostudio Shqipëria e Re, vendosi të sjellë komedinë e Spiro Çomorës në formën e një filmi të kënduar, të cilin e quajtën “operetë”, por që me gjuhën e zhanrit mund ta cilësohet edhe si “musical”.

Opereta Karnavalet

Filmi i realizuar në vitin 1980 ishte komedia e parë muzikore shqiptare. Në një pamje të përgjithshme, ishte e njëjta histori, subjekti po ai, por i treguar përmes mjeteve të reja shprehëse, siç është muzika.

Ndonëse një vepër tepër e njohur dhe e plotësuar me referenca interpretimi, të dokumentuara në kohë, në operetën me regji nga Inva Mula janë përfshirë edhe disa elementë që i rifreskojnë “Karnavalet” dhe e pasurojnë atë, duke e thelluar deri në estetikën e viteve ‘30.

Të gjitha reflektohen në një kostumografi elegante të kohës, e cila reflekton realitetin e familjeve të pasura, deri në vitet mbas Luftës së Dytë Botërore .

Gjithashtu bazohet në një skenografi me imazhe grafike, që e tregon veprën me anë të projeksionit fragmentar të copëzuar në lëvizje të frymëzuar nga fotografi i madh, lindur në qytetin e Korçës, Gjon Mili.

Skenografia e parë paraqet shtëpinë e Nikollaqit, e krijuar me kuinta të cilat krijojnë idenë e rrugicave me kalldrëm të qytetit, e dyta është e gjitha e krijuar me telajo dhe mobilieri tipike të familjeve të pasura të qytetit, në kontradiktë më shpirtin e varfër të tyre, ndërsa e treta paraqitet me një sallon të dekoruar fiks për të shpallur fejesën e Afrovitit.

Por ka më tepër se kaq… për t’u zbuluar në skenën e Teatrit të Operës, për 4 net radhazi, nisur nga data 25 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë