Gazeta Si - Ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi mbetet në burg. Gjykata e Apelit mori vendimin këtë të hënë pas kërkesës së Klosit për ndryshim të masës së sigurisë nga ajo e “arrestit në burg”, në një masë më të lehtë.
41-vjeçarja akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore.
“Kam dy fëmijë për të rritur dhe një nënë të verbër për të cilën duhet të kujdesem”, ishte pretendimi i Alda Klosit.
Megjithatë, Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke e lënë prapa hekurave. Ajo nuk ka qenë e pranishme në seancën gjyqësore, duke u përfaqësuar nga avokati i saj Ilirjan Muho.
Në një deklaratë për media avokati i saj u shpreh se mbajtja e saj nën arrest është e padrejtë pasi Prokuroria nuk ka prova për akuzat e ngritura ndaj saj.
Fillimisht sipas tij duhet provuar vërtetësia e deklarimeve të pastrueses Rozeta Dobi dhe gjetja e provave dhe më pas të kërkohet ndalimi i saj.
"Ajo çfarë thotë prokuroria duhet verifikuar dhe provuar vërtetësia e deklaratave të Rozeta Dobit. Kjo nuk do të thotë që Alda Klosi duhet të rrijë në burg derisa të provohet vërtetësia e tyre. Prokuroria duhet fillimisht të sigurojë provat dhe pastaj të vijë me kërkesat për mbajtjen e saj në burg. Të pretendosh që ta mbash një person që në fillim dhe të fillosh të kërkosh prova kjo është e padrejtë dhe ka vend për kontestime. Vetëm apartamenti që ndodhet në rrugën "Federik Shiroka" është i sekuestruar. Ai është në emër të ish-bashkëshortit të saj", - tha Muho.
Ai deklaroi se Alda Klosi nuk ka për detyrim të deklarojë të ardhurat e vëllait të saj.
“Klientja ka deklaruar çdo gjë që ka pasur në pronësi të saj derisa ka qenë subjekt i vetëdeklarimit. Prej gushtit të vitit 2022 nuk ka qenë më subjekt i vetëdeklarimit. Ndërsa për paratë e vëllait të saj ajo nuk ka për detyrim të deklarojë asgjë”, u shpreh avokati.
Alda Klosi u arrestua dhe është nën “arrest në burg” për akuzat e pastrimit të parave, fshehje pasurie e mosdeklarim pasurie dhe deklarim të rremë.
Disa ditë më parë, 41-vjeçares i janë sekuestruar 2 pasuri; 1 apartament dhe 1 garazh në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’.
Sipas palës mbrojtëse, Klosi ka deklaruar se vetëm shuma prej 120 mijë eurove është e saj, ndërsa për pjesën tjetër të parave mohon të jenë gjetur në banesën e saj.
Gjykata e Tiranës vendosi pak ditë më parë masën “arrest me burg” për ish zyrtaren. Ajo u arrestua për shkak të shumës së madhe të parave që u gjetën në banesën e pastrueses Rozeta Dobi.
Kjo e fundit ka akuzuar Klosin se ka inskenuar grabitjen për shkak se kishte konflikte me bashkëshortin e saj.
Klosi u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në momentin kur u arrestua Rozeta Dobi. Pra, ajo pretendon se 120 mijë eurot dhe rreth 30 mijë dollarët janë të xhaxhait të saj, i cili ndërroi jetë në Amerikë për shkak të një sëmundjeje të rëndë.
Ish-zyrtarja nuk pranon që të ketë lidhje me shumën prej më shumë se 400 mijë eurosh që Dobi pretendon se janë marrë në shtëpinë e Klosit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.