Futboll

Shkeli rregullat për Tiranën, UEFA dënon FSHF-në me gjobë

Historia e Tiranës që para dy sezonesh u kualifikua për në Kupat e Europës, luajti, por nuk mori shpërblimin financiar nga Uefa, ka marrë një tjetër zhvillim. Klubi bardheblu u pengua asokohe nga qeveria europiane e futbollit që të merrte bonusin e pjesëmarrjes nga Kupat e Europës, pasi kishte probleme me bilancet dhe se kishte rroga të papaguara ndaj disa ish-lojtarëve të saj. Por gjatë ditës së mërkurë është mësuar se për këtë ngjarje, Uefa ka dënuar edhe FSHF-në. Një gjobë prej 100 mijë eurosh duhet të paguhet nga qeveria e futbollit shqiptar për shkak se ka shkelur rregullat në certifikimin e Tiranës për të luajtur në Europë.

Nga hetimi që Uefa ka bërë në këto 2 vite, rezulton se Federata Shqiptare e Futbollit ka shkelur disa rregulla në procedurën e licencimit të skuadrës kryeqytetase. Edhe pse në fillim pati disa tentativa për ta deleguar përgjegjësinë në disa individë të caktuar në komisionin e licencimit që e kishin bërë këtë gabim, Uefa nuk ka qenë i të njëjtit mendim.

Përveç gjobës prej 100 mijë euro, FSHF paralajmërohet që në rast se nuk përmbushen kushtet në ditët e ardhshme mund të ketë edhe një gjobë tjetër prej 150 mijë eurosh. Një vendim të ngjashëm si ky kundër FSHF-së, Uefa ka marrë edhe ndaj federatave të Serbisë dhe Kazakistanit.

Kliko për vendimin e detajuar të UEFA-s kundër FSHF-së


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë