Komunitet

Vera e tejzgjatur deri në mesnëntor

Mëngjeseve të nëntorit në Tiranë sheh ende njerëz të veshur me mëngë të shkurtra, madje edhe gra me sandale.

Shumë syresh i sheh me një triko të lehtë krahëve ose të palosur rreth parakrahut të djathtë duke menduar për pasditet e vona kur nis të freskohet.

Madje shpesh, gjatë ditës të merret fryma nga ajri i ngrohtë dhe belbëzon se pse nuk po vjen ende dimri.

Moti, një bisedë që rëndom perceptohet si banale, ka nisur të jetë në qendër të ankesave këto kohë në pritje të ethshme të dimrit tek stinët janë ngatërruar.

Ndryshe nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur nëntori nisi me temperatura të ulta dhe njerëzit shiheshin në rrugë të mbërthyer me shall e duke fërkuar duart nga të ftohtët, deri më tani Europa Qendrore dhe Juglinodre ka pasur temperatura më të larta se norma dhe një tejzgjatje të pazakontë të verës që po vazhdojmë ta përjetojmë.

Rrymat ajrore të nxehta me origjinë nga veriu i kontinetit afrikan kanë ndikuar rajonin e Ballkanit këtë fillim nëntori duke sjellë temperatura të jashtëzakonshme të larta për periudhën.

Kjo situatë meteorologjike sipas meteorologes së Gazetës “Si”, me diell dhe pa rreshje shiu parashikohet të na shoqërojë deri në mesin e muajit nëntor si pasojë e një qendre të fuqishme me presion të lartë atmosferik të pozicionuar në Europën Lindore.

Kjo situatë meteorologjike është një anomali, por atmosefra është komplekse dhe këto situata meterologjike përsëriten herë pas here.

Moti parashikohet të vijojë i qëndrueshëm me diell, dhe kalime vranësirash të herë pas hershme. Gradualisht temperaturat do të fillojnë me rënie duke i çuar temperaturat në optimumin e tyre.

Ndryshimet klimaterike globale a ndikojnë çfarë po ndodh në këtë stinë?

Të dhënat statistikore sipas ekspertëve meteorologë tregojnë tamam këtë. Në vitet e fundit klima ka ndryshuar shpejt në nivelin global. Veçantia e këtij ndryshimi klimaterik është intensiteti dhe shpejtësia e  ngrohjes së planetit  (e ashtuquajtura ngrohje globale). Rryma subtropikale,  në veçanti gjatë muajve të vjeshtës, merr terren mbi atë tropikale; Poli i veriut çdo vit në shtator ka rreth  40% të akullit më pka (duke nisur prej 2007), mungesa e akullit shkakton një mungesë ekuilibri të fort  në ekuilibrin energjik.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë