Drejtësia

Alda Klosi kërkon lirinë në Apel pasi u la në burg për pastrim parash

Gazeta Si - Ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi ka apeluar masën e sigurisë “arrest në burg” dhe kërkon lirinë.

Avokati i saj mbrojtës ka dorëzuar këtë të hënë ankimimin në Apelin e Tiranës, ku kërkon lirimin e klientes së tij.

Me argumentin se ka dy fëmijë të mitur dhe duhet të kujdeset për nënën e saj të verbër, Klosi kërkon lirinë nga burgu.

Avokati ka përdorur si arsyetim edhe gjendjen shëndetësore të Klosit, e cila për disa ditë pas arrestimit u kurua në QSUT.

Alda Klosi u arrestua dhe është nën “arrest në burg” për akuzat e pastrimit të parave, fshehje pasurie e mosdeklarim pasurie dhe deklarim të rremë.

Një ditë më parë, 41-vjeçares i janë sekuestruar 2 pasuri; 1 apartament dhe 1 garazh në rrugën ‘Kongresi i Lushnjës’.

Sipas palës mbrojtëse, Klosi ka deklaruar se vetëm shuma prej 120 mijë eurove është e saj, ndërsa për pjesën tjetër të parave mohon të jenë gjetur në banesën e saj.

Gjykata e Tiranës vendosi pak ditë më parë masën “arrest me burg” për ish zyrtaren. Ajo u arrestua për shkak të shumës së madhe të parave që u gjetën në banesën e pastrueses Rozeta Dobi.

Kjo e fundit ka akuzuar Klosin se ka inskenuar grabitjen për shkak se kishte konflikte me bashkëshortin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë