Drejtësia

Në burg për pastrim parash, ish-zyrtares Alda Klosi i sekuestrohet pasuria

Gazeta Si - Një apartament dhe një garazh në pronësi të Alda Klosit, ish-drejtoreshës së Ministrisë së Financave dhe Rindërtimit, është sekuestruar këtë të diel me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës.

Burime pranë prokurorisë, thanë se apartamenti dhe garazhi i sekuestruar ndodhet në Tiranë në rrygën “Frederik Shiroka”. Këto dy pasuri janë në emër të ish-burrit të Alda Klosit, shtetasit Altin Klosi.

Gjatë hetimeve të kryera për pasurinë, dyshohet se prokuroria ka konstatuar se kohët e fundit, apartamenti dhe garazhi po planifikohej të kalonin në një pronësi tjetër.

Ndërkohë hetimet vijojnë edhe për pasuritë e tjera që Alda Klosi zotëron së bashku me ish-bashkëshortin e saj, Altin Klosi.

Ish-shefja e kabinetit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, u arrestua në 3 shkurt për pastrim parash, fshehje pasurie dhe për deklarim të rremë.

Gjykata caktoi masën ndaj saj, ndërsa avokati, pretendoi se klientja e tij pranon pronësinë e vetëm 120 mijë eurove që janë të familjarëve të saj.

Sipas avokatit, shuma e gjetur në banesën e sanitares prej 400 mijë eurosh nuk ka lidhje me klienten e tij.

Alda Klosi u arrestua mbrëmjen e 3 shkurtit, pasi në banesën e saj, dyshohet se në muajin dhjetor u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën e marrë me qera prej zyrtares.

Dyshimet ndaj Klosit u shtuan, pasi ajo dha dy deklarime të ndryshme mbi paratë e vjedhura.

Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj, ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.

Çështja është ende nën hetim, pasi Rozeta Dobi dëshmoi se nuk i grabiti paratë, por e inskenoi të gjithë situatën në bashkëpunim me Alda Klosin për të fajësuar ish-bashkëshortin.

Megjithatë, këto pretendime pritet të zbardhen nga ana e Prokurorisë, pasi avokati i Klosit, Ilirjan Muho, pretendon se pastruesja ka dhënë disa versione të ngjarjes, duke gënjyer për të nxjerrë të pafajshëm të birin, edhe ai në burg si bashkëpunëtor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë