Biznes

Ibrahimaj: Industria e qumështit do të vlerësohet nga BE për eksport. Biznesi të bashkëpunojë me qeverinë

Nga Gazeta ‘SI’ - Industria shqiptare e qumështit do të jetë e para që do t’i nënshtrohet vlerësimit të organeve europiane për cilësinë dhe plotësimin e standardeve, me qëllim rritjen e eksportit.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj gjatë takimit me Komitetin Kombëtar të Lehtësimit të Tregtisë.

“Lajmi i mirë është që do të fillojmë me industrinë e qumështit gjatë këtij viti, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe AKU, dhe uroj që çdo që të shkojë mirë. Sigurisht që do të ketë problematika, por do të shërbejë si nxitje me qëllim përmirësimin, që në të ardhmen do t’i shërbejë të gjithë industrisë së qumështit”, -tha Ibrahimaj duke shtuar më pas do të bëhen pjesë të gjitha industritë me prodhime me bazë shtazore.

Lidhur me eksportet, ministrja përmendi mundësinë e një marrëveshje tregtie me Japoninë, ku shoqatat e biznesit duhet të bëjnë propozimet e tyre për produkte specifike, në mënyrë që të përfshihen në diskutime me shtetin japonez.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se biznesi dhe qeveria duhet të forcojnë dialogun mes tyre pasi qëllimi final është zhvillimi i ekonomisë dhe sektorëve të saj në vend. Gjithashtu bashkëpunim sa më të shpejt duhet të kenë dhe dhomat e tregtisë me biznesin pasi duhen bërë studime sektoriale për konkurrueshmërinë e vendit si në kuadër të Ballkanit të Hapur, Procesit të Berlinit, CEFTA-s dhe procesit të integrimit europian.

Ibrahimaj sugjeroi që disa industri duhet të subvencionohen dhe t’u krijohen lehtësira. Përmes mbështetjeve të politikave fiskale nuk ka rezultuar e suksesshme në disa sektorë të caktuar pasi ka prodhuar informalitet. Sektori i parë që do të nisin subvencionimet do të jetë Bujqësia pasi jep 20% të PBB dhe ka rëndësi të madhe në punësim dhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë