Bota

Erdogan: Për një vit rindërtojmë godinat e reja, 500 € për çdo familje të prekur

Gazeta Si - Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pranuar përgjegjësinë e shtetit në lidhje me dhënien e ndihmës së parë për tërmetin e dhunshëm që tronditi Turqinë, pasi u ngritën kritika për ngadalësinë e arritjes në disa prej zonave të prekura.

“Fillimisht ka pasur probleme në aeroporte dhe rrugë, por sot gjërat po lehtësohen dhe nesër do të jetë edhe më e lehtë”, tha Erdogan, siç raportojnë mediat ndërkombëtare.

“Kemi mobilizuar të gjitha burimet tona, – shtoi ai gjatë vizitës në vendet e prekura nga tërmeti. -. Shteti po bën punën e tij”.

Presidenti turk theksoi se qeveria ka synim të mbyllë procesin e rindërtimit të godinave të shkatërruara brenda një viti dhe se çdo familje e prekur nga tërmeti do të marrë 10 mijë lira.

“Nuk lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë, është koha të ecim të gjithë bashkë si popull. Pas një viti do ngremë godinat e reja, qëllimi ynë është të mbyllim rindërtimin brenda një viti, - theksoi kreu i shtetit turk. - Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hoteliere për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’ju garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do japim 10 mijë lira (500 euro) për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë”.

Presidenti turk njoftoi gjithashtu se shumë persona të zhvendosur së shpejti do të transferohen në hotelet në Antalia, Alanya dhe Mersin, vendpushimet bregdetare në Turqinë jugore.

Numri i të vdekurve në Turqi thotë Erdogan ka shkuar në 8547 mijë, ndërsa të plagosur janë mbi 49 mijë.

“Qendra e goditjes së tërmetit ishte pikërisht këtu ku ndodhem unë, janë goditur 10 qarqe të Turqisë. Aktualisht konfirmohen 8574 të vdekur, 49133 të plagosur dhe 6444 godina të shembura. Jam i bindur se njerëzit do të kenë durim për të përballuar këtë fatkeqësi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë