Shkencë

Stambolli në rrezik nga një çarje toke fare pranë. Pritet një tërmet ‘Big One’ si në Kaliforni

Eksperti italian Amato: "Pllaka anadollake është zhvendosur deri në dhjetë metra”. Sizmologia turke, Aybige Akinci: "Fuqi sizmike e lartë në 90 për qind të Turqisë"

Gazeta Si - “Situata sizmike në Turqi dhe Siri vazhdon të jetë kritike. Goditja e dytë e të hënës me magnitudë 7.5 ballë në pllakën e Anadollit, u shpërnda për rreth njëqind kilometra në drejtim Lindje-Perëndim dhe në zonën qendrore shfaqi, megjithëse në një mënyrë të kufizuar, një zhvendosje prej dhjetë metrash”. shpjegon Alessandro Amato, ekspert në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali.

Energjia e akumuluar vitet e fundit kërkon ende kohë për t'u çliruar, siç dëshmohet nga përsëritja e vazhdueshme e pasgoditjeve, të cilat vazhduan të martën me ritme të shpejta, duke qëndruar në nivelin 4.7 të shkallës Rihter.

Pllaka

“Në fund të fundit, pllaka e Anadollit lëviz dy centimetra në vit në lidhje me pllakën arabe dhe forcat në lojë ushqejnë akumulimin e energjisë, - shton ai. -. Po bëhet një përpjekje për të studiuar tendencën e fenomenit me modele teorike të transferimit të energjisë, por rezultatet nuk ndihmojnë për të deshifruar qartë atë që mund të ndodhë nën tokë. Sigurisht, vitet e fundit, duke shqyrtuar të dhënat historike dhe duke vlerësuar deformimet e tokës me instrumente të reja si satelitët, kemi njohuri më të mëdha. Prandaj, ne mund të përmirësojmë parandalimin, ndërsa parashikimi mbetet i pamundur”.

Në fakt, historia sizmike e Turqisë, ofron buletine me numër të madh viktimash.

"Është një vend i prekshëm nga tërmetet, pasi e gjen veten në udhëkryqin e tre pllakave të mëdha në lëvizje të vazhdueshme", shpjegon Aybige Akinci, një sizmologe turke, e cila tani është studiuese në Ingv italiane, por gjithashtu është e përfshirë në projekte bashkëpunuese me kolegë në Turqi.

“Në njëzet vitet e fundit, - vazhdon shkencëtarja, - tre tërmete mbi shtatë gradë të shkallës Rihter vërtetojnë një territor 90 për qind shumë sizmik dhe një nga më aktivët në Mesdhe dhe në botë”.

Çarjet e kores së tokës

Vlerësohet se janë rreth 400 çarje aktive të kores së tokës, ku “disa gjykohen si më të rrezikshme si ai i njohur në jug të Stambollit, jo shumë larg qytetit, për të cilin të dhënat e mbledhura, tregojnë se një ditë do të thyhet, duke gjeneruar një tërmet të rëndë”.

Në vazhdën e ngjarjeve që karakterizuan shekullin e kaluar, viti 1939 mbetet një pikë referimi, në të cilën sizmologët nga e gjithë bota përqendrojnë vëmendjen e tyre edhe sot.

Një tërmet me magnitudë 7.8 ballë (i njëjtë me atë aktual), goditi Erziçanin në Turqinë lindore, duke shkaktuar numrin tragjik prej 33,000 viktimash, ndërsa qyteti ishte pothuajse i rrafshuar me tokën.

"Pastaj, - thotë Akinci, - çarja ndodhi në Anadollin verior për më shumë se një mijë kilometra, duke shkuar pothuajse nga një skaj i vendit, në tjetrin, duke shkaktuar një seri tërmetesh të dhunshme gjatë 60 viteve të ardhshme".

Stambolli në rrezik

Një rrjet sizmik mbulon pothuajse të gjithë territorin, duke mbledhur informacion dhe monitoruar zonat më të rrezikshme.

“Mund të bëhet më shumë, - shton shkencëtarja turke, - dhe të bëhen edhe më shumë kapilarë për të përmirësuar parandalimin. Hulumtimet tregojnë se shpërndarja e thyerjes së tokës në Anadoll është e rregullt, ndërsa në Itali është më komplekse. Kjo do të thotë se është më e lehtë të kuptohet shpërndarja e forcave dhe efekti domino që mund të gjenerohet në territoret përreth. Për këtë arsye, ne e shikojmë me frikë çarjen, vetëm 20 kilometra larg Stambollit, përgjatë të cilit kanë ndodhur tashmë 12 tërmete me kalimin e kohës dhe ku njerëzit jetojnë në një gjendje me rrezikshmëri të lartë, duke pritur për një ‘tërmet të madh’ si në Kaliforni” (që ndryshe quhet edhe “Big One”.

Nëse parashikimet për fat të keq mbeten të pamundura, një analizë e situatës mund të japë disa të dhëna për evolucionin e fenomenit.

“Intensiteti i lëkundjeve që vazhdojnë, sugjeron se aktiviteti sizmik do të vazhdojë. Nuk është e paarsyeshme të mendosh për një vazhdim për ditë apo javë apo ndoshta disa muaj”.

Duke parë zbutjen e rrezikut, në vitin 2018 qeveria miratoi rregulloren për ligjin e propozuar gjashtë vjet më parë për ndërtesat antisizmike. “Por jo gjithmonë respektohet”, përfundon e trishtuar Aybige Akinci.

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë